Transmetuar më 03-01-2023, 12:40

TIRANË- Seriali i vrasjeve ditët e fundit duket se ka një lidhje shkakësore.

Policia njoftoi sot se autori i vrasjes së biznesmenit Edmond Papa në Selitë është arrestuar. Bëhet fjalë për Albano Velon, shokun e Aleksandër Sadikajt, i cili u hodh në erë në aksin Elbasan-Tiranë në qershor të vitit të kaluar. Në profilin e tij në rrjetet sociale janw gjetur foto të Velos dhe Sadikajt në një nga klubet e Tiranës duke festuar vitin e ri më 2017.

Velo së bashku me një person tjetër me iniciale A.B, 44-vjeçar kanë ekzekutuar biznesmenin nga Saranda. Prej dtësh ata e ruanin atë dhe në momentin që kanë gjetur hapësirë, kanë vepruar. Policia ka sekuestruar makinën tip ‘Audi’, pamjet filmike si dhe 3 aparata celulare.

Edmond Papa u ekzekutua pasditen e 16 dhjetorit në një lokal në zonën e Selitës teksa ishte duke pirë kafe. 49-vjeçari dyshohet se ka qenë shumë i implikuar në trafikun e drogës nga Turqia në Shqipëri dhe nga Shqipëria në Angli. Po ashtu ka dyshime se ai merrej me pastrim parash. Papa jetonte mes Sarandës dhe Fierit por udhëtonte dhe shpesh jashtë vendit. Krimi u pasua me vrasjen e dy shqiptarëve ne Greqi, Kreshnik Çerçizaj dhe Armando Organja. Të tre ekzekutimet dyshohet të kenë ndodhur për zhdukjen e 700 kilogramëve kanabis. Urdhri dyshohet se ka dalë nga burgu grek, më konkretisht nga qelia e liderit të mafies shqiptare në Greqi, Klodian Lekocaj. Pas vrasjes së dy shqiptarëve në Athinë, është zhdukur pa gjurmë dhe miku i tyre i ngushtë, i identifikuar si Leonardi. Dyshohet se ai është eliminuar por për momentin nuk ka detaje të tjera lidhur me shqiptarin.