Transmetuar më 03-01-2023, 11:39

Përkushtimi i popullit argjentinas ndaj ekipit kombëtar të futbollit (Albiceleste) është i madh dhe mund të çojë në gjeste të bujshme. Shumë i bëjnë ‘homazh’ dashurisë së tyre për Messin.

Sidoqoftë, ‘Katar 2022’ nxori në skenë si hero edhe Emiliano Martinez, i njohur si ‘Dibu’, portieri i Aston Villa. Ai u dallua në Doha si për pritjet e tij, sidomos të penalltive, ashtu edhe për sjelljen gjatë festimeve si kampion i botës.

Me bëmat e tij në Botëror, ‘Dibu’ është bërë idhulli i miliona tifozëve. Aq sa njëri prej tyre, në Mar del Plata, vendlindja e portierit të Albiceleste, e ka lyer fuoristradën e tij me ngjyrat e Argjentinës dhe formulimin e pagabueshëm ‘DIBU’.

Automjeti i tipit ‘Volkswagen Amarok’ është fotografuar me të shkruar ‘DIBU’ në njërën anë. Përveç ngjyrave të flamurit argjentinas, e bardhë dhe blu e hapur, në anën e pasme, pronari i tij ka pikturuar edhe një “10”, si nderim për Leo Messin. Për ta mbyllur,  në derën e makinës është edhe dielli i flamurit argjentinas.