Transmetuar më 01-01-2023, 08:35

TIRANE-Festimet e natës së ndërrimit të viteve janë shoqëruar me disa plagosje nga fishekzjarret në Tiranë.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj ka bërë me dije se 12 persona janë lënduar nga fishekzjarrët, 4 prej tyre në spital.

“Situata e rendit dhe sigurisë publike në Tiranë, është në parametra normal, 12 persona të dëmtuar nga fishekzjarrët, 4 persona janë në spital. Shërbimet e policisë do të jenë në shesh, policia rrugore ka marrë masa për të mos lejuar që të krijohet trafik i rënduar”, tha Vocaj në një njoftim për mediat.

Nata e ndërrimit të viteve, siç tradita e do mblodhi në tryezë të gjithë familjet, ku shijuan ushqimet e ngrohta e tradicionale. Ora 00:00 kulmoi me spektaklin e fishekzjarrëve të hedhura nga vetë qytetarët, por edhe me organizimin e bërë nga Bashkia e Tiranës në sheshin ‘Skënderbej’, ku pati edhe një koncert me artistë të ndryshëm.