Transmetuar më 31-12-2022, 23:49

Edhe viti 2022 ka qenë një vit i përgjakur në rrugët e Shqipërisë. Aksidentet automobilistike kanë qenë të shpeshta dhe fatale për jetën e shqiptarëve. Jo pak por rreth 161 persona kanë humbur jetën përgjatë këtij viti. Numri i aksidenteve në total është raportuar afro 1200 në të gjithë vendin. .

Ndonëse sipas Policisë Rrugore numri i aksidenteve ka rënë me afro 185 raste, sipas ekspertëve shifrat mbeten sërish alarmante. Po ashtu edhe numri i humbjeve të jetëve ka ndryshuar, ku këtë vit kanë humbur jetën 36 persona më pak.

Ndër aksidentet më të rënda automobilistike, është ai në rrugën hyrëse të Beratit, ku i mori jetën drejtueses së makinë tip “Wolksvagen” Klaudia Xhaferraj dhe djalit të saj 6 vjeç si dhe në fshatin Bogë të Shkodrës, Pjetër Rushaj dhe djali i tij 18 vjeç humbën jetën.

Që prej janarit të 2022, në të gjithë vendin mbetën të lënduar 1463 qytetarë. Nga të cilët, 209 në gjendje të rëndë dhe 1.254 të tjerë morën plagë të lehta. Krahasuar me 2021, numri i personave të lënduar ishin 200 raste më pak. Shkak i aksidenteve mbetet shpejtësia e lartë dhe mungesa e përqendrimit, por në disa raste kanë ndikuar kushtet e motit si dhe mungesa e sinjalistikës.