Transmetuar më 31-12-2022, 14:59

Papa Benedikti XVI ndërroi jetë sot, në moshën 95-vjeçare, disa ditë pasi u njoftua se gjendja e tij shëndetësore nuk ishte e mirë.

“Me dhimbje ju njoftoj se Papa Emeritus, Benedikti XVI, ndërroi jetë sot në orën 9:34 në Manastirin Mater Ecclesiae në Vatikan. Informacione të mëtejshme do të jepen sa më shpejt të jetë e mundur”, tha zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni.

Kardinali Joseph Ratzinger u zgjodh Papë në vitin 2005 pas vdekjes së Gjon Palit II. Në moshën 78-vjeçare, kardinali Joseph Ratzinger ishte një nga papët më të vjetër që u zgjodh.

Ai u bë Papa Benedikti XVI në vitin 2005 dhe mbeti udhëheqës i Kishës Katolike për më pak se tetë vjet.

Në vitin 2013, ai u largua duke thënë se ishte shumë i moshuar për të vazhduar dhe shkoi të jetonte në manastirin Mater Ecclesiae.

Me dorëheqjen nga kreu i Kishës Katolike, u bë Papa i parë që dha dorëheqjen në 600 vjet.

Dorëheqja habiti qeveritë, vëzhguesit e Vatikanit dhe madje edhe ndihmësit më të afërt të ish-Papës.

Ndihmësit e tij nuk ishin në dijeni të asaj që ai po planifikonte të bënte dhe u habitën kur dha lajmin e largimit nga ky post.

Papa i fundit që dha dorëheqjen ishte Papa Gregori XII, i cili dha dorëheqjen në 1415. Para papatit të tij, kardinali Ratzinger kaloi 24 vjet si një figurë e lartë në Vatikan dhe më pas mori drejtimin kur Kisha Katolike u përball me skandalin e abuzimit seksual të fëmijëve nga priftërinjtë.

Papa Françesku zbuloi pak ditë më parë se shëndeti i tij ishte përkeqësuar dhe kërkoi që të gjithë besimtarët të luteshin për të. Detajet e varrimit ende nuk janë bërë të ditura.

Një zë i fuqishëm dhe polarizues

Benedikti ishte një forcë e fuqishme në Kishën Katolike për dekada.

Joseph Ratzinger lindui në Gjermani në vitin 1927 dhe ishte djali i një polici.

Ai u shugurua si prift në vitin 1951, u bë kardinal në vitin 1977 dhe më vonë shërbeu si këshilltar kryesor teologjik i Papa Gjon Palit II.

Një nga hapat e tij më domethënës erdhi në vitin 1981 kur ai mori detyrën si kreu i Kongregatës për Doktrinën e Besimit, zyrës së Vatikanit që mbikëqyr “doktrinën mbi besimin dhe moralin në të gjithë botën katolike”, sipas Vatikanit.

Ratzinger u bë i njohur si ” Cardinal Noo”, për shkak të përpjekjeve të tij për të goditur, pluralizmin fetar, sfidat ndaj mësimeve tradicionale për çështje të tilla si homoseksualiteti.

Ai u zgjodh papë në prill 2005, pas vdekjes së Gjon Palit II.

Ai dihej se ishte më konservator se pasardhësi i tij, Papa Françesku, i cili ka bërë lëvizje për të zbutur pozicionin e Vatikanit për abortin dhe homoseksualitetin, si dhe ka bërë më shumë për t’u marrë me skandalin e abuzimeve seksuale që ka përfshirë kishën vitet e fundit.

Në prill 2019, Benedikti diskutoi krizën e abuzimit seksual në një letër publike, duke pretenduar se ajo ishte shkaktuar pjesërisht nga revolucioni seksual i viteve 1960 dhe liberalizimi i mësimeve morale të kishës.