Transmetuar më 31-12-2022, 10:32

Elbasan- Policia ka zbardhur rrethanat e aksidentit me pasojë vdekjen e 53 vjeçarit Dalip Xhakoin në aksin Elbasan-Peqin.

Personi që ka shkaktuar aksidentin sipas bluve të Elbasanit është një 33-vjeçar i identifikuar si Nigert Kikia, i cili pasi përplasi qytetarin për vdekje u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, në përpjekje për t’i shpëtuar forcave të policisë.

‘Specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban të DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, si rezultat i një pune intensive hetimore dhe profesionale, bënë të mundur zbardhjen e aksidentit rrugor, me pasojë vdekjen, të ndodhur më datë 22.12.2022.

Si rezultat, nga shërbimet e Policisë u bë identifikimi, lokalizimi dhe ndalimi i drejtuesit të automjetit, shtetasit Nigert Kikia, 33 vjeç, banues në Papër, Elbasan, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Nga veprimet hetimore, rezultoi se ky shtetas, më datë 22.12.2022, në aksin rrugor Elbasan-Peqin, në fshatin Papër, duke drejtuar automjetin tip “BMW X3”, ka aksidentuar me pasojë vdekjen, shtetasin D. Xh., 53 vjeç, banues në fshatin Vidhas, Elbasan, i cili ka qenë duke lëvizur me këmbë. Pas aksidentit, drejtuesi i automjetit është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.

Automjeti tip “BMW X3” u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme, citohet në njoftimin e policisë.