Transmetuar më 31-12-2022, 09:57

Edhe pse ka kaluar pak kohë nga finalja e Botërorit të Katarit 2022 dhe triumfi i Argjentinës së Leo Messit, polemikat rreth sjelljes së Salt Bae gjatë festimeve në kampin e “Seleccion” nuk janë shuar. Ngacmimi dhe bezdisja e tij me arrogancë, në radhë të parë e Messit dhe pastaj e futbollistëve të tjerë që sapo ishin shpallur kampionët e botës, bëri xhiron e botës.

Më pas, në fakt mërziti shumë njerëz që nuk mund të mos e kritikonin publikisht për atë sjellje jashtë rregullave (mes tyre futbollisti Pepito Rossi, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino dhe boksieri-youtuber Jake Paul).

Por lista e armiqve të Nusret Gökce (ky është emri i vërtetë i ish-kasapit turk, i cili u bë i famshëm për zinxhirin e restoranteve ku shërbehen biftekë të mbuluar me ar ushqimor dhe për mënyrën e veçantë të kriposjes së mishit) bëhet më e gjatë çdo ditë.

I fundit që kritikoi publikisht Salt Bae për atë që bëri gjatë festës së Argjentinës në stadiumin “Lusail Iconic” ishte një koleg, i cili tani kërkon që turku t’i kthejë dhuratën e çmuar që i kishte bërë vetëm pak ditë para finales së Botës. Bëhet fjalë për restauratorin e njohur britanik me origjinë pakistaneze Suleman Raza, pronar i 35 restoranteve dhe hoteleve (është themeluesi i zinxhirit të famshëm "Spice Village Restaurants & Grand Sapphire Hotels").

Në videon e fundit të publikuar në TikTok nga ky i fundit dhe që është bërë “virale”, në fakt i kërkon Salt Bae t’i kthejë dhuratat që i kishte dhënë disa ditë më parë, gjatë vizitës së tij në “Steakhouse Nusr-Et” në Londër (edhe ky episod është përjetësuar në një video të publikuar më parë në rrjetet sociale, në të cilën Raza shihet duke i ofruar dy dhurata të çmuara shefit turk, duke i shpjeguar se njëra është për të, ndërsa tjetra për stafin e restorantit të tij).

Kjo kërkesë e pazakontë për kthimin e dhuratave rrjedh nga sjellja e Salt Bae me lojtarët e Argjentinës, pas fitimit të Kupës së Botës. "Ti je një kuzhinier dhe unë jam mbreti i kerit. Unë dua dhuratën time mbrapsht, – thotë Suleman Raza në fillim të videos, në të cilën i referohet drejtpërdrejt shefit të kuzhinës turke. – A e di pse? Sepse u treguat shumë i pasjellshëm dhe i vrazhdë.

Më shokoi mosrespektimi i lojtarëve argjentinas pas finales, mënyra se si i ngacmonit kur ata ishin në fushë me familjet e tyre. Më zhgënjeve për mënyrën se si u përpoqe t’ua rrëmbeje trofeun lojtarëve. Keni humbur gjithçka, respektin e fansave në të gjithë botën, duke përfshirë edhe mua. Je shumë i bezdisshëm. Dhe kjo është arsyeja pse ke humbur gjithë respektin tim, kjo është arsyeja pse i dua dhuratat mbrapsht. Më trego kur dhe si".