Transmetuar më 31-12-2022, 08:32

Ka të drejtë ta konsiderojë vitin më të vështirë të jetës së tij, sepse iu ndërpre karriera në mes. Të paktën përkohësisht. Armando Broja kaloi nga Southampton, ku ishte i huazuar sezonin e kaluar dhe spikati si golashënues, te blutë e Londrës, për të dëshmuar veten aty ku i ka “rrënjët”.

Edhe pse pati minutazh të kufizuar aktivizimi te Chelsea në sezonin vijues, ylli i kombëtares shqiptare kishte besimin e trajnerit dhe drejtuesve. Hap pas hapi po bëhej pjesë e planeve të formacionit të klubit që zotëron kartonin e tij.

Derisa nisën përgatitjet e fundvitit, më saktë të pushimeve prej Botërorit të Katarit. Aty e ndoqi fati i keq, u dëmtua në një miqësore dhe përfundoi “nën thikë”. Operacioni në gju do ta mbajë disa muaj larg fushave të blerta, duke i krijuar një pengesë të madhe në karrierë. Përjetimi i tij është i kuptueshëm, nuk e fsheh as në mesazhin e shpërndarë për fundviti, ku shkuan:

“Ndoshta viti më i vështirë i jetës sime deri më sot. E bukura e kësaj bote është se gjithmonë ka shanse dhe mundësi që ju presin në të ardhmen. Nuk jam aspak perfekt si person apo lojtar, por përpiqem të jem versioni më i mirë i vetes çdo ditë për njerëzit që më interesojnë më shumë, por edhe për njerëzit që më shikojnë dhe presin më shumë nga unë.

Marr gëzim dhe lumturi në fushën e futbollit dhe jam mjaft me fat dhe mirënjohës që mund ta ndaj çdo ditë me ju djema. Kjo padyshim që më lëndon shumë që nuk mund të bëj punën ose sportin që na pëlqen për një periudhë të gjatë kohore.

Është gjithmonë e vështirë për t’u pranuar, por me njerëz të mirë rreth meje dhe ata pak njerëz që e bënë këtë vit më të mirë për mua, unë do të rikthehem akoma më i mirë. Jam 100% i sigurt për këtë. Edhe një herë dua të them faleminderit për mbështetjen dhe dashurinë tuaj, kjo më ndihmon gjithmonë në kohë si këto”.