Transmetuar më 30-12-2022, 10:23

Vdekja e Peles ka lënë një boshllëk të madh në botën e futbollit. Po largohet një tjetër protagonist i madh i këtij sporti, i aftë për të revolucionarizuar futbollin me klasin, dinamizmin dhe thjeshtësinë e tij. Braziliani dhe Diego Armando Maradona shënuan dy epoka, që do të mbahen mend përgjithmonë.

“O’Rei” vdiq nga kanceri i zorrës së trashë dhe menjëherë pasi familja e tij njoftoi amëshimin, një lumë mesazhesh nga e gjithë bota vërshuan internetin. Të gjithë lojtarët dhe mbi të gjitha yjet më të mirë të futbollit bashkëkohor donin t’i bënin homazhet e tyre Peles.

Nga Messi te Cristiano Ronaldo, duke kaluar nëpër Mourinho dhe Mbappe, shumë nuk e kanë kursyer veten me tekste shumë të gjata dhe njëkohësisht plot intensitet. “Në vitin 2005 mora çmimin e BBC-së direkt nga duart e ‘mbretit’ dhe është ende një nga momentet e mia më krenare sot, – shkruan ‘Special One’ në një postim.

– Isha shumë i lumtur që e kisha në Manchester, ku patëm një bisedë të mirë dhe kaluam bukur. Akoma më shumë në një event të ‘Hublot’, ku vërtet qeshëm fort. Pusho në paqe mbreti Pele dhe mendo për të dashurit e tu. Jam shumë i trishtuar".

Në vend të shumë fjalëve, Lionel Messi postoi një foto me brazilianin, shoqëruar me një mbishkrim të thjeshtë: “Pusho në paqe!” Nga ana tjetër, ajo që ka shkruar Neymar është rrëqethëse… Braziliani konsiderohet nga të gjithë si simboli i kombëtares së vendit të tij.

Ai ende nuk ka mundur të fitojë një Botëror dhe fati i keq në Kupën e Botës e ndjek. Edhe në Katar u eliminua nga penalltitë ndaj Kroacisë. Ky ishte një tjetër kapitull i trishtuar, i përjetuar nga lojtari i PSG-së. Megjithatë, vdekja e Peles ishte një goditje për një vend të tërë dhe vetë Neymar donte t’iu kujtonte të gjithëve se çfarë përfaqësonte figura e legjendës për njerëzit e ‘Carioca’.

"Para Pelés, 10 ishte vetëm një numër, – shkroi Neymar në Instagram. – E lexova këtë fjali diku, në një moment të caktuar të jetës sime. Por kjo fjali e bukur është e paplotë. Unë do të thosha se para Pelés, futbolli ishte vetëm një sport.

Pelé ndryshoi gjithçka, ai e transformoi futbollin në art, argëtim. Ai iu dha një zë të varfërve, zezakëve dhe mbi të gjitha i dha shikueshmëri Brazilit. Futbolli dhe Brazili e kanë ngritur statusin e tyre falë Mbretit! Ai është larguar tashmë, por magjia e tij do të mbetet. Pele është i përjetshëm".

Edhe fjalët e Cristiano Ronaldos janë emocionuese dhe shumë prekëse. Ai dhe Messi janë konsideruar si Maradona dhe Pelé të kohëve moderne. Portugezi shkroi një postim shumë të gjatë në Instagram dhe në fjalët e tij ndihet respekt i thellë:

“Ngushëllimet e mia më të thella për të gjithë Brazilin, në veçanti për familjen e zotit Edson Arantes do Nascimento. Një lamtumirë e thjeshtë nga Mbreti i përjetshëm Pelé, nuk do të jetë kurrë mjaftueshëm për ta shprehur dhimbjen që aktualisht përfshin gjithë botën e futbollit”.

Cristiano Ronaldo e konsideron atë si një shembull për t’u ndjekur, nga i cili mund të nxjerrim mësime të vazhdueshme: "Një frymëzim për miliona njerëz, një referencë e së djeshmes, sotmes, përgjithmonë. Dashuria që keni treguar gjithmonë për mua është reciproke në çdo moment të përbashkët, qoftë edhe në distancë. Nuk do të harrohet kurrë dhe kujtimi i tij do të mbetet përgjithmonë te të gjithë ne, adhuruesit e futbollit. U prefsh në paqe Mbret Pele!"

Në mesin e lojtarëve më të mirë në botë, Kylian Mbappé gjithashtu donte të rezervonte një postim për Pelé, pas vdekjes së tij. Një mesazh i thellë, por i thjeshtë. Një fjali që ende përmban mendimet e një pjese të madhe të botës: "Mbreti i futbollit na ka lënë, por trashëgimia e tij nuk do të harrohet kurrë. RIP RE".

Edhe Robert Lewandowski iu bashkua të gjithë këtyre kampionëve: "Pusho në paqe kampion. Qielli ka një yll të ri, bota e futbollit ka humbur një legjendë".