Transmetuar më 29-12-2022, 14:53

Pas një muaji e gjysmë pa folur për mediat, Carlo Ancelotti u rishfaq në sallën e shtypit të Valdebebas për të uruar fillimisht të pranishmit për festat dhe më pas vlerësuar situatën e skuadrës që drejton dhe rikthimin e La Liga-s pas pushimit për shkak të Kupës së Botës:

"Skuadra ka punuar shumë mirë, edhe edhe ata që janë kthyer sot janë në gjendje perfekte. Na pret një kalendar i ngjeshur dhe shumë impenjativ, me ndeshje çdo tri ditë deri në mars, por ne jemi të përgatitur".

Disa fjalë edhe për Benzema, që u largua nga kombëtarja franceze para nisjes së Botërorit, por më pas kanë dalë polemika të forta mbi trajtimin e tij nga Deschamps: "Ai u kthye pas 10 ditësh pushime, ishte mjaft mirë. Ai punoi me ekipin dhe në dy miqësoret e fundit luajti gjysmë ore e 45 minuta.

Te ne është kthyer shumë i motivuar. Jemi të bindur se në pjesën e dytë të sezonit do të bëjë shumë për Real Madridin. E kemi rikuperuar Benzema, i cili është lojtar i rëndësishëm për ne. Edhe ata që kanë bërë pushime janë rikthyer mirë, megjithëse do t’iu jap përparësi lojtarëve që kanë qenë këtu".

Emri i tij u përfol si kandidat i mundshëm për të marrë drejtimin e Brazilit, pas largimit të Tite, sepse dështoi në Botërorin e Katarit. Trajneri italian sqaron: "Nuk e di nëse janë të interesuar, por s’më ka telefonuar askush nga Brazili. Nëse janë të interesuar, e vlerësoj. Situata ime është e qartë; nuk do t’i them kurrë Real Madridit se kjo aventurë ka mbaruar".

Një ngacmim nga gazetarët edhe për Lionel Messin, nëse ai tashmë është më i miri në histori, meqë fitoi dhe Kupën e Botës. Trajneri italian nuk zhbilancohet: "Vështirë të thuhet, nuk e di nëse është më i miri në histori.

Nuk është e drejtë të flitet kështu, sepse çdo epokë ka pasur lojtarë shumë të mirë. Shprehjas ‘Messi është më i miri në histori’ nuk do të dalë kurrë nga goja ime. Kam shijuar shumë lojtarë të mirë, kam parë Cruyff dhe Maradona duke luajtur…"