Transmetuar më 29-12-2022, 10:33

Kupa e Botës në Katar ka përfunduar, por ajo ende e ruan jehonën, bashkë me polemikat verbale në distancë, sidomos mes dy finalistëve. Pasi Argjentina u bë kampione e botës në një finale shumë intensive, të vendosur nga penalltitë, Kylian Mbappé u pyet për disa çështje që lidhen me dramën e 18 dhjetorit në Doha.

Sulmuesi, në zonën mikse, pas ndeshjes kundër Strasburgut, në të cilën goli i tij me penallti në minutën e fundit shtesë iu dha fitoren të tijve (2-1), u shkëput nga çdo marrëdhënie mes PSG-së dhe “Les Bleus”. “Unë kurrë nuk do ta tret dot atë (humbjen e finales), por klubi im nuk është përgjegjës për dështimin në kombëtare”, – tha ai.

Po kështu, sulmuesi francez siguroi: "Kam folur me Messin pas ndeshjes, e përgëzova. Ishte ajo që ai kishte kërkur gjithë jetën. Vlente edhe për mua, por dështova kësaj here”.

Sigurisht, Kylian ishte më i theksuar në lidhje me Emi Martínez, portierin argjentinas, i cili nuk mundi ta ndalonte në asnjërën nga tri penalltitë, por u bë “viral” për shkak të festimeve të tij.

Numri një i kampionëve të rinj të botës, fillimisht tha në dhomat e zhveshjes se “duhet të mbajmë një minutë heshtje për Mbappe”, ngaqë ylli francez dështoi në finalen e Katarit, pastaj festoi në rrugët e Buenos Aires me një kukull në dorë, së cilës i kishte vënë fytyrën e Mbappe.

Lidhur me këtë, vetë ky i fundit u mundua të minimizojë apo injorojë gjithçka të tillë: "Festimet e të tjerëve nuk janë problemi im. Unë nuk shpenzoj energji për gjëra të tilla të parëndësishme. Gjëja më e rëndësishme për mua është të jap më të mirën për klubin tim. Po presim që Leo të kthehet, të shënojmë gola dhe të fitojmë ndeshje së bashku".