Transmetuar më 29-12-2022, 09:38

Jeta e Marco Verrattit do të jetë pariziene edhe për një kohë të gjatë. Mesfushori italian ka rinovuar marrëveshjen me PSG-në deri në vitin 2026. Dy vite të tjera në kryeqytetin francez për ish-mesfushorin e Pescara, duke pasur parasysh kontratën e mëparshme të planifikuar deri në vitin 2024.

Njoftimi i PSG-së erdhi pak minuta para ndeshjes kundër Strasburgut, që e pa skuadrën e Galtier të rikthehej në fushë pas Botërorit të Katarit. Një kompeticion në të cilin Verratti, ashtu si Italia, kampione e Europës më 2021, nuk mori pjesë.

30-vjeçari Verratti nuk ka luajtur kurrë në Serie A italiane, sepse u ble nga PSG pas paraqitjeve të shkëlqyera në Serie B si mesfushor i ri për Pescara e Zemanit (ku përfshihej edhe Ciro Immobile e Lorenzo Insigne).

Në vitin 2012 Verratti u “martua” me PSG-në, duke u bërë gjithnjë e më shumë lojtar rekord, sepse hyri në historinë e klubit. Askush nuk ka fituar më shumë Ligue 1 (tetë), si dhe Kupën e Francës, Kupën e Ligës Transalpine dhe Superkupën; me një total prej 29 trofesh në “vitrinë”.

Sipas thashethemeve nga Franca, Verratti duhet të fitojë rreth 12 milionë euro në vit deri më 2026. Pas katër vitesh, pa surpriza, ai do të jetë më i pranishmi në historinë e PSG. Aktualisht i dyti me 399 ndeshje, ai shpreson të kalojë rekordmenin Jean-Marc Pilorget (435 ndeshje) në sezonin e ardhshëm.

Në dekadën e tij te PSG, Verratti arriti majën e asistuesve më të mirë, një renditje që përfshin lojtarë si Mbappé, Neymar, Di Maria, Pastore, Susic dhe Dahleb.

“Është një krenari e madhe të zgjas kontratën time me Paris Saint-Germain, – tha Verratti. – Kanë kaluar më shumë se 10 vite që kur kam ardhur në Paris, në këtë qytet që e konsideroj shtëpinë time të dytë. Unë gjithmonë kam marrë shumë mbështetje nga klubi dhe tifozët, që nga debutimi im, jam shumë mirënjohës për këtë. Ishte e qartë për mua se historia do të vazhdonte të shkruhej këtu. Shpresoj të fitoj shumë trofe të tjerë me fanellën pariziene".

Nasser Al-Khelaïfi, presidenti i Paris Saint-Germain, është entuziast: "Ne jemi shumë të lumtur që shohim Verrattin të vazhdojë karrierën e tij të pabesueshme në Paris. Marco ka luajtur një rol qendror në historinë dhe suksesin e klubit në dhjetë vitet e fundit, duke u bërë një nga lojtarët më të mirë të gjeneratës së tij.

Rinovimi i Marco është një dëshmi e rritjes së vazhdueshme dhe ambicieve të mëdha të klubit tonë. Ky është një lajm i madh për Paris Saint-Germain dhe tifozët tanë". Pasi fitoi gjithçka në Francë, pa pushim, Verratti synon trofeun e madh: Ligën e Kampionëve, ëndërr e cila “shuhet” vit pas viti.