Transmetuar më 28-12-2022, 22:16

KOSOVË- Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se është çështje orësh heqja e barrikadave në veri të vendit. E ftuar në emisionin ‘Rubikon’ në Klan Kosova, tha se nëse nuk hiqen barrikadat, institucionet e Kosovës do të veprojnë për shkak se sipas saj, sa më shumë që të mbesin barrikadat aty, aq më shumë po rrezikohet jeta e qytetarëve.

“Pikërisht për shkak të koordinimeve dhe bashkërendimit me aleatët tanë, jam e bindur se është çështje orësh heqja e barrikadave dhe në qoftë se nuk largohen ato përfundimisht, natyrisht që duhet të ketë veprim të menjëhershëm por të dakorduar të institucioneve tona së bashku me institucionet ndërkombëtare të sigurisë”, është shprehur Osmani.

Osmani tha se barrikadat aktuale nuk kanë qenë asnjëherë barrikada më të rrezikshme, teksa tha se nuk mund të tregojë arsyen e rrezikshmërisë pasi mund të rrezikohet jeta e qytetarëve, policisë, KFOR-it e EULEX-it.

“Janë vlerësime të institucioneve të sigurisë vendore e ndërkombëtare, të cilat janë vlerësime të klasifikuara, të cilat pas një jave apo më shumë edhe do të mund t’i deklasifikojmë. Por, për shkak se mund të rrezikohet jeta e policëve tanë, e ushtarëve të KFOR-it, e personelit të EULEX-it, e civilëve mbi të gjitha, unë s’mund tani t’i jap ato detaje”, është shprehur Osmani.