Transmetuar më 28-12-2022, 14:05

PSG i rikthehet rutinës sot, me Mbappé dhe Neymar në listën e skuadrës për angazhimin ndaj Strasburgut. Të dy janë të aftë për të luajtur, megjithëse Christophe Galtier nuk konfirmoi nëse do të startojnë apo jo.

Ai që nuk arrin në kohë është Messi, qoftë edhe me leje nga klubi, pas fitimit të Kupës së Botës. Në prelud, trajneri francez ka rishikuar situatën aktuale dhe mënyrën se si do ta përballojë pjesën e dytë të sezonit.

Fyerjet për Mbappen – “Nuk e di se çfarë ka ndodhur në Argjentinë dhe as nuk më intereson, por Messi nuk e ka shpërfillur Mbappen. Ata shtrënguan duart dhe Kylian pati një qëndrim shembullor, pasi u mund në finale. Ai e ka uruar si Leon, ashtu edhe Scalonin. Kjo është ajo që ka rëndësi për mua”.

Neymar dhe Mbappé, të disponueshëm – “Ata janë në dispozicion. Marquinhos, Vitinha, Carlos Soler, Pablo Sarabia dhe Hakimi, gjithashtu. Ata janë stërvitur gjatë gjithë kësaj jave dhe po bëjnë mirë. Mbappe? Performanca e tij gjatë Kupës së Botës ishte e shkëlqyer, e përfundoi si golashënuesi më i mirë. Pas finales biseduam me të dhe na tha se donte të kthehej së shpejti. Në një moment ai do të duhet të pushojë, veçanërisht mendërisht.

Rikthimi i Messit në Paris – “Pas fitores dhe festimeve të ditëve të fundit, vendosëm që ai të qëndrojë në Argjentinë deri më 1 janar. Do të kthehet këtu më 2 ose 3 janar".

Rreziku për të mos rifilluar në 100% – “Nuk mendoj se ekziston kjo mundësi apo që djemtë nuk janë të fokusuar. Disa donin të ktheheshin herët, sepse e dinë rëndësinë e ndeshjes kundër Strasburgut”.

Drejtimi pas Botërorit – “Kam folur individualisht me lojtarët dhe iu kam dërguar mesazh inkurajimi kur u eliminuan. Pas kthimit në ‘Camp des Loges’, ekipi ynë mjekësor foli me secilin për të zbuluar se si po kalonin. Nuk ka mënyrë më të mirë për të rikuperuar rutinën sesa me një atmosferë të mirë, duke punuar shumë dhe konkurruar. Nuk jam i shqetësuar”.

Neymar dhe dëmtimi i tij në Katar – “Pas goditjes që mori në kyçin e këmbës, ai luajti dy ndeshje. Më kujtohet veçanërisht ndaj Kroacisë, ku shënoi një gol të mrekullueshëm. Prej 12 ditësh ka pushuar dhe që kur është kthyer në Paris është stërvitur normalisht, pa asnjë lloj kufizimi. Është në rregull, vetëm duhet të luajë”.