Transmetuar më 27-12-2022, 18:50

Elbasan- Gjykata e Elbasanit ka vendosur masën e sigurisë "arrest me burg" për policin e Cërrikut, Geraldo Nela, i akuzuar për vjedhjen e 30 mijë eurove gjatë kontrollit të një banese.

Është siguruar dosjen hetimore për mënyrën si u realizua vjedhja dhe si u zbulua nga Prokuroria e Elbasanit dhe Agjencia e Mbikqyrjes Policore.

E gjitha u zbulua pasi më 20 dhjetor, 1 javë më parë, me vendim gjykate rreth orës 7 të mëngjesit, Policia e Shtetit dhe kolegët e Nelës, shkuan për kontrolle në banesën dhe në stanin e Banush Kuqjas, në fshatin Marinzë në bashkinë Belsh. Në kontroll asistonte edhe djali i Banushit, Syrja Kuqja, duke qenë se banonte ngjitur me shtëpinë e babait. Kontrolli në banesën e tyre kryhej pasi bashkëshortja e kallëzuesit, Vjollca Kuqja ka deklaruar se ka marrë lekët që kishin në banesë, të cilat i kishte poshtë divanit, një shumë prej 30000 Euro, shkruan Euronews.

Paratë, me prerje 50 Euro, të mbështjella me qese plasmani me ngjyrë të zezë me lule rozë, pasi kishte frikë se Policia do i kontrollonte dhe do i gjente paratë. Si vend të sigurtë për të vendosur paratë ka gjetur një stivë me drru, në oborrin e banesës së tij.

Syrja Kuqja ka deklaruar se paratë ishin të gjitha prerje 50 euro dhe shuma prej 30 mijë eurosh ishin kursimet e tij nga puna në emigracion, ndërsa polici i komisariatit të Cërrikut ka mohuar akuzën por më pas është penduar. Megjithatë pas hetimeve është zbuluar se polici fillimisht vodhi paratë dhe i fshehu në një ferre jo shumë larg vendit origjinal ku fshiheshin, duke zgjedhur një ferre jashtë portës së banesës së Kuqjas. 1 ditë pas ngjarjes, pasi ishte identifikuar nga bashkëshortja e kallëzuesit, të cilët gjatë konfrontimit me të i kishte thënë: Nuk kam marrë lek e nuk do merrem me gra. Më pas, siç duket i vrarë në ndërgjegjie, i ka treguar vendin ku i kishte fshehur duke i kërkuar falje.

Paratë u numëruan nga agjentët e agjencisë së mbikëqyrjes policore dhe rezultoi shuma 30 mijë euro. Në lidhje me vjedhjen, efektivi i ri tha se ndihej i penduar dhe se nga frika dhe nga zori nga kolegët e tjerë dhe vendosi që të mohonte grabitjen. Por më pas vendosi që të tregonte të vërtetën.