Transmetuar më 27-12-2022, 14:41

Karim Benzema u largua në heshtje nga grumbullimi i kombëtares franceze në hotelin luksoz "Al Messila", ku kampionët e botës në fuqi ishin sistemuar nga e dita e parë deri tek e fundit në Botërorin e këtij fundviti.

Me pak gjumë, ishte padyshim nata më e gjatë e sulmuesit të Real Madridit në të gjithë karrierën e tij, pasi rreth 45 minuta pas stërvitjes së tij të parë me grupin në Doha, ai ndjeu "goditjen me kamzhik" në kofshë.

Orët në agim i dhanë diagnozën që ndoshta po e priste tashmë. "Nuk kisha kohë tjetër veçse të konfirmoja me Deschamps se ishte më mirë të largohesha, të paketoja plaçkat dhe të zbarkoja në Madrid të dielën pasdite", – tha "Topi i Artë" në fuqi.

Kupa e Botës është ngjarja më e madhe e futbollit, sepse pret pothuajse të gjithë lojtarët më të mirë të planetit. Një nga ato që zakonisht nuk mungon është "Topi i Artë". Që nga viti 1978, ai ka marrë pjesë në Kupën e Botës.

Karim, në fund, pasi u bë lojtari më i mirë në botë, do të largohej nga Doha me shije të keqe në gojë. Në kryeqytetin e Katarit, francezi ishte një nga futbollistët më të admiruar.

Që kur "Topi i Artë" në fuqi, Allan Simonsen u la jashtë Kupës së Botës me Danimarkën më 1978, lojtari më i mirë në botë ka qenë gjithmonë në finalet e këtij kompeticioni. Platini (1986), Van Basten (1990), Baggio (1994), Ronaldo (1998), Owen (2002), Ronaldinho (2006), Messi (2010), CR7 (2014 dhe 2018) ishin pjesë e Kupave të Botës respektive si lojtarët më të mirë në botë.

Ishte padyshim një moment i vështirë për Karim, ishte Botërori i tij për shumë rrethana. Ai kishte opsionin, fillimisht, të bëhej për herë të parë në histori lojtari i vetëm që fitonte Champions League, Kupën e Botës dhe "Topin e Artë" në të njëjtin vit.

Për më tepër, Benzema u përjashtua 5 vite nga kombëtarja. Kjo gjë e privoi nga ngritja e Kupës së Botës më 2018 në Rusi, bashkë me shokët e tij. "Katar 2022" do të thoshte të vinte gjithçka në vendin e vet dhe të kthente faqen përfundimisht, por nuk ndodhi.

Në moshën 34-vjeçare, Botërori i radhës është larg, u dorëheq nga kombëtarja, megjithëse futbolli i ka dhënë gjithçka dhe ai vazhdon ta shijojë. Ai tashmë do të jetë në Madrid, në shtëpinë e dytë pas Lyon-it dhe kishte në dispozicion tri javë për rikuperim. Pas Kupës së Botës, ka shumë gara përpara. Real Madridi mezi po e pret të rikthehet.