Transmetuar më 27-12-2022, 13:52

Tiranë- Një konflikt i nisur në një prej lokaleve të rrugës “Mustafa Matohiti” në kryeqytet, pak ditë më parë, ka përfunduar në dyert e Komisariatit nr.1.

Protagonistë kanë qenë vajza e kryeplakut të fshatit Bërxullë dhe partneri i saj, të cilët pasi kanë debatuar me fjalë kanë nisur një përplasje fizike, duke gjuajtur njëri-tjetrin me shpulla.

Pas sherrit, vajza ka bërë kallëzim në polici dhe kjo e fundit ka nisur veprimet proceduriale, duke bërë që i riu të shoqërohet në komisariat.

Djali ka pretenduar se fillimisht ka nisur një sherr mes tyre dhe më pas vajza e ka qëlluar me shpullë, të cilën ia ka kthyer dhe ai. Pas përfundimit të marrjes në pyetje policia po e heton në gjendje të lirë, teksa materialet janë referuar në Prokurorinë e Tiranës.

Ditën e sotme në Komisariatin nr. 1 në Tiranë është paraqitur babai i vajzës, Muharrem Koni, kryeplak i fshatit Bërxullë, i cili ka kërkuar arrestimin e djalit që sipas tij i ka dhunuar vajzën, teksa hedh akuza ndaj policisë për mosveprim.