Transmetuar më 27-12-2022, 09:45

Agjenti i Benzema, Karim Djaziri, i ka hedhur benzinë zjarrit për lamtumirën e diskutueshme nga Botërori i Katarit e sulmuesit të Real Madridit. Pas shumë komenteve dhe informacioneve në lidhje me largimin e nxituar të numrit 9 nga Katari, pasi u dëmtua në stërvitje, agjenti tregon provat që mund të jenë përfundimtare.

Karim Djaziri ka hedhur në rrjetet e tij sociale pamjet e dëmtimit të Benzema, pas testeve që iu bënë në Katar. Ishte pikërisht ky dëmtim që do ta ndante përfundimisht nga kompeticioni i Botërorit. Agjenti ka publikuar këtë mesazh, i cili ushqen polemikat për ‘rastin Benzema’.

“U konsultova me tre specialistë të cilët konfirmuan diagnozën se Benzema mund të ishte në formë që në 1/8 finale, të paktën në stol. Pse i kërkove të largohej kaq shpejt?" – pyet ai në aluzion të qartë për Deschamps.

MARCA raportoi tashmë më 13 dhjetor se Benzema mund të ishte kthyer në Kupën e Botës. Vendimi i Didier Deschamps për të bërë pa Benzema mund të konsiderohet i nxituar në dritën e procesit të rikuperimit të futbollistit, i dëmtuar në stërvitjen e Francës më 19 nëntor. Lojtarit iu rekomandua një periudhë rikuperimi trejavore, e cila skadoi në fillim të dhjetorit.

Franca e luajti ndeshjen e 1/8 finale kundër Polonisë më 4 dhjetor, ndërsa Karim, pas shkurtimit të afateve, shijoi disa ditë pushimi në Réunion, pasi u "përjashtua" nga trajneri i tij. Lojtari i Real Madridit ka shkuar për pushime në gjendje perfekte.

Kjo ndodhi më 29 nëntor, në të njëjtën ditë kur Deschamps e përjashtoi përfundimisht kthimin e tij në Katar. Një polemikë që përfundoi me lamtumirën e Karim nga kombëtarja.