Transmetuar më 27-12-2022, 07:50

Emri i parë që u dëgjua ishte ai i Carlo Ancelotti. Portali i njohur brazilian "UOL" e lidhi trajnerin e Real Madridit me stolin e kombëtares së Brazilit. Megjithatë, trajneri italian është i fokusuar vetëm dhe ekskluzivisht te "Los Blancos", nuk mendon për ndonjë skenar tjetër të mundshëm, përveç përmbushjes së kontratës:

"Për momentin ndihem mrekullueshëm në Madrid, kemi shumë synime këtë sezon. Do të ketë kohë për të menduar për të ardhmen time. Kam një kontratë deri më 30 qershor 2024 dhe nëse Madridi nuk më përzë më përpara, nuk do të lëviz”.

Tani, Konfederata Braziliane e Futbollit vazhdon kërkimin e saj për një zëvendësues të Tite, i cili nuk është më në detyrë pas eliminimit në çerekfinale të Kupës së Botës kundër Kroacisë. Kandidatët e mundshëm vazhdojnë të përfliten përditë. Dje, "L’Equipe" përmendi emrin e Zinedine Zidane.

Sipas informacioneve të revistës sportive franceze, Zizou plotëson të gjitha kërkesat që kërkon CBF për trajnerin e ardhshëm të Brazilit: i huaj, i lirë dhe me një CV shumë të kompletuar.

Megjithatë, në rastin e Zidane gjithçka do të varet nga vendimi i marrë prej Didier Deschamps, nëse do të vazhdojë të drejtojë kombëtaren franceze apo do të japë dorëheqjen, me ç’rast Zinedine do të ishte kandidati kryesor për të drejtuar "Les Bleus".

Përveç Zidane, "L’Equipe" përmend edhe emra të tjerë të mundshëm për stolin brazilian: Marcelo Gallardo, Thomas Tuchel, Mauricio Pochettino, Roberto Martínez apo Rafa Benítez. Gazeta franceze e vendos Zizou më lart, sepse ka meritën e fitimit të tre Champions League radhazi me Real Madridin (2016, 2017 dhe 2018).

Po kështu, francezi ka mbështetje të brendshme për këtë rol, duke oasur parasysh këtu Ronaldon (fenomenin). Përveç kësaj, ai njeh mirë disa nga anëtarët e dhomës së zhveshjes, si Vinicius, Eder Militao apo Casemiro, të cilët i kishte nën komandë te "Los Blancos".