Transmetuar më 24-12-2022, 10:52

Pas lamtumirës traumatike në mes të Kupës së Botës, André Onana i jep lamtumirën kombëtares. Rasti kishte shpërthyer më 28 nëntor, pak orë para ndeshjes ndaj Serbisë. Përplasja me trajnerin Song pas një debati mbeti e pashërueshme. Portieri i Interit, me një postim në Twitter njoftoi se historia me kombëtaren e Kamerunit ka përfunduar.

“Gjithçka filloi në Ngol Nkok, një fshat i vogël ku familja ime që në moshë të re më përcolli vlerat që identifikojnë popullin kamerunas, – shkruan Onana në postim. – E kuptova që dashuria për këtë vend është e përjetshme dhe ky angazhim është i panegociueshëm.

Më kujtohet sesi i ndiqnim ndeshjet familjarisht. Vetëm kamerunasit mund ta kuptojnë se çfarë do të thotë për ne të shohim ‘Luanët e Paepur’ duke luajtur. Pikërisht atëherë fillova të ëndërroja që një ditë të vishja fanellën e kombëtares. Dhe tani, pas orëve të panumërta stërvitje, udhëtimeve të gjata dhe shumë këmbëngulje, mund të them me krenari se ëndrra ime e madhe është realizuar”.

Më pas Onana vazhdon: “Por çdo histori sado e bukur të jetë, ka fundin e saj. Dhe historia ime me kombëtaren e Kamerunit ka marrë fund. Lojtarët vijnë e shkojnë, emrat janë të shumtë, por Kameruni është para çdo personi. Kameruni mbetet i përjetshëm, po ashtu edhe dashuria ime për kombëtaren dhe tifozët tanë që na kanë mbështetur gjithmonë, sado i vështirë të ishte momenti.

Ndjenjat e mia nuk do të ndryshojnë kurrë, zemra ime kamerunase do të vazhdojë të rrahë. Kudo që të shkoj do të luftoj gjithmonë për të ngritur flamurin e Kamerunit sa më lart që të jetë e mundur. Unë do të vazhdoj të mbështes ekipin kombëtar si tifoz, ashtu siç bëjnë më shumë se 27 milionë kamerunas në çdo ndeshje. Dua t’i falënderoj të gjithë ata që më besuan se mund të kontribuoja në ekipin kombëtar. Kombi vjen i pari, përgjithmonë”.

André Onana bëri debutimin e tij ndërkombëtar në vitin 2016, në një miqësore kundër Gabonit më 6 shtator. Ai luajti 34 ndeshje, të fundit në Kupën e Botës në Katar kundër Zvicrës (humbur 1-0).