Transmetuar më 24-12-2022, 10:04

Përveç shkrimit të emrit të yllit argjentinas në ballë, një fans i kampionëve të rinj të botës ka bërë tatuazhe të çmendura edhe në faqet e tij.

Si shpërblim për triumfin e kombëtares Albiceleste në Katar, pas 36 vitesh “agjërim”, tifozi i ri argjentinas bëri tatuazh në faqet e tij me termin "D10S" (Zot, në spanjisht, por me numrin 10 në vend të shkronjave "i" dhe "o") dhe tri yjet që aludojnë për tre titujt e Kupës së Botës, të fituar tashmë nga Argjentina në histori.

Pavarësisht se është ndarë nga studioja “AlleTattoo”, e cila ndodhet në Itali, tatuazhi është bërë në tokën argjentinase. Mediat po kërkojnë të kontaktojnë me fansin në fjalë, që bëri tatuazhin e çmendur, për të dëgjuar prej tij arsyen për këtë veprim ekstrem që ia shpërfytyron në njëfarë mënyre krejt surratin (nëse ka një arsye).

Videot dhe imazhet e tatuazheve të tjera vazhdojnë të ngarkohen në mediat sociale, me fansat që vijojnë të gjejnë mënyra të reja për të përjetësuar triumfin në “Katar 2022”.