Transmetuar më 23-12-2022, 19:53

Kosovë- Aktorja kosovare Kaltrinë Zeneli, është nderuar me një certifikatë mirënjohjeje nga prokuroria e Kosovës, në lidhje me publikimin e videos së dhunës të ushtruar ndaj të moshuarës në spitalin e Pejës.

Nderimi ndaj aktores bëhet “për guximin dhe kontributin e dhënë në paraqitjen e rastit ‘Orenda’, si dhe inkurajimin e qytetarëve për raportimin e rasteve në Prokurori”.

Përmes një postimi në facebook, Zeneli, uron që raste të tilla, si dhunimi i të moshuarës nga infermiret e qendrës së kujdesit shëndetësor, të mos përsëriten më kurrë.

“Jo se do më lumturonte fakti që do duhej të ndahen më shumë mirënjohje të tilla, se për t’u ndarë një mirënjohje e tillë do duhej të ndodhte një rast i tillë, e unë uroj me gjithë zemër që këso lloj rastesh të mos përsëriten më kurrë, por do më lumturonte nëse njerëzit do gjenin guximin për të raportuar, sepse e dimë mirë që nuk ishte e nuk ka qenë rast i vetëm në shoqërinë tonë. Unë vetëm i dhashë dritë një zëri i cili sot e asaj dite edhe për mua mbetet anonim”, ka shkruar Zeneli në Facebook.

Në fund të reagimit të saj aktorja inkurajon të gjithë qytetarët që të denoncojnë sa më shumë raste e dhunës në organet ligjzbatuese.

“Këtë mirënjohje ia dedikoj personit që më dërgoi videon. Unë nuk do hezitoj të jap zë edhe herë tjetër, por uroj që mos të kem nevojë ta bëj më”, ka përfunduar Zeneli.