Transmetuar më 23-12-2022, 15:12

RUMANI- Aksidentohet autobuzi me 47 grekë në Rumani.

Një aksident automobilistik me një person të vdekur sipas policisë lokale dhe 23 të plagosur ka ndodhur në qendër të Bukureshtit në Rumani.

Sipas Observatorit Antena 1, aksidenti ka ndodhur kur autobusi, i cili me gjasë ka qenë me shpejtësi, ka marrë përpara një tabelë e cila ishte në formë harku. Kjo ka rezultuar që ai të ngecë midis saj duke bërë që përkulja e tabelës të shtypë çatinë e autobuzit duke shkaktuar dhe thyerjen e xhamave.

“Të katër personat e bllokuar janë liruar, dy gra dhe dy burra. Dy prej tyre janë në gjendje shumë të rëndë, njëri prej tyre në arrest kardiak”, tha për Digi 24 zëdhënësi i policisë lokale Daniel Vasile.

Të plagosurit janë dërguar në pesë spitale të ndryshme pranë vendit të aksidentit, të cilat janë shënuar me shenjën “e kuqe të alarmit”. Në mesin e të plagosurve janë dy fëmijë, ndërsa dy prej të plagosurve janë në gjendje të rëndë. Sipas informacioneve, në vendngjarje ka shkuar një person nga ambasada greke.

Njoftimi i Policisë Rumune:

Sot, më 23 dhjetor, rreth orës 13.30, Policia Rrugore është njoftuar për një aksident trafiku në hyrje të Pasajul Unirii, me drejtim nga Bd Tineretului në Sheshin e Universitetit. Sipas raportimeve të para, shoferi është përplasur në portën e kalimit të Uniriit. Rezultati ishte se disa persona mbetën të plagosur. Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit. Aktualisht qarkullimi në zonën e aksidentit është i kufizuar.