Transmetuar më 23-12-2022, 12:57

Në fushë deri në 40 vjeç, ambasador deri në 45 vjeç. Kjo është e ardhmja që e pret Cristiano Ronaldon në Arabinë Saudite. Portugezi është gati të thotë “po”, deri në fund të vitit pritet nënshkrimi i kontratës faraonike. Prej disa kohësh është i njohur interesimi i Al Nassr, skuadër nga Riadi, që drejtohet nga ish-trajneri i Romës, Rudi Garcia, dhe aktualisht kryeson kampionatin (së bashku me Al Shabab-in e Riadit të drejtuar nga spanjolli Vicente Moreno).

Gjysmë miliardë eurot e premtuara për CR7 për dy vite e gjysmë futboll, nga janari 2023 deri në qershor 2025, janë gati për portugezin. Pagë që mund ta marrë deri kur të ketë mbushur 40 vjeç. Pra, 200 milionë euro në sezon, për të cilat flitet prej kohësh, do të përfshinin të ardhurat nga paga dhe reklamat. Pikërisht këtu qëndron çelësi i pjesës së dytë të marrëveshjes.

Arabia Saudite shpreson të marrë organizimin e Kupës së Botës 2030 (me Greqinë dhe Egjiptin) dhe do të donte ta bënte Cristiano Ronaldon njeriun e saj imazh, ambasadorin e turneut, sikurse Katari ka bërë me David Beckham në vitet e fundit.

Kjo është arsyeja pse kontrata që iu ofrua portugezit është deri në vitin 2030 dhe flitet për një shifër totale afër një miliard euro. Një mundësi ekstra për të lobuar dhe për t’i dhënë imazhin e dikujt kandidaturës arabe të Botërorit 2030.

Oferta duket se nuk mund të refuzohet, të paktën kështu e interpretojnë atë në Riad, ku shpresojnë të njoftojnë së shpejti nënshkrimin e Ronaldos. Më së voni deri në fund të vitit, por ideja është që “po” do të vijë shumë më shpejt. Teksa pret të japë “ok” për Al Nassr, Ronaldo po shijon disa ditë pushime në Dubai.

Pas stërvitjes për disa ditë në Valdebebas, qendra teknike e Realit, e cila kishte bërë që të mendohej për një afrim të mundshëm mes palëve për një rikthim të bujshëm të CR7 në “Bernabeu”, Ronaldo mori familjen e tij në avionin privat dhe i tha pilotit ta vendoste kursin për në Dubai, një vend i zgjedhur tashmë në të kaluarën nga portugezi dhe klani i tij për pushime.

Dubain nga Riadi e ndajnë rreth 1000 kilometra, një distancë relative që Cristiano është gati ta kalojë për të nisur një fazë të re në karrierën e tij prestigjioze të deritanishme. Është e qartë se pritshmëritë e Ronaldos kanë rënë sportivisht. Ai e kaloi gjithë verën duke kërkuar një klub për të luajtur në Champions League.

Nuk ia doli dhe kjo çoi në humor të keq e fërkime me Jorge Mendes, agjentin e tij historik. Dy portugezë të tjerë hynë gjithashtu në skenë për t’u kujdesur për interesat ekonomike dhe sportive të Ronaldos: miku i përjetshëm Ricky Regufe dhe Antero Henrique, ish-drejtori sportiv i PSG.