Transmetuar më 23-12-2022, 10:16

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka analizuar vitin që po mbyllet për klubin e tij, duke u ndalur në tema të ndryshme. Ne po sjellim për ju disa prej deklaratave kryesore të tij, duke nisur nga qëndrimi për kthimin e mundshëm të Messit: "Dje patëm një takim me mediat, biseduam me një ton të relaksuar.

Është e qartë që do të doja që ai të kthehej një ditë. Do të doja shumë, por ne nuk mund të gjenerojmë shumë pritshmëri. Messi është një lojtar i PSG-së, ka një kontratë për ta respektuar. Së fundi fitoi Kupën e Botës, jemi shumë të lumtur për të. Ajo që nuk dua është të krijoj pritshmëri të kota në kushte vështirësish të mëdha.

Për ne, ai është më i miri i të gjitha kohërave. E kemi pasur këtu dhe ai është bërë lojtar i madh te Barcelona. Jam i bindur se në zemrën e tij është ‘culé’. Ai është një pikë referimi dhe gjithmonë do të jetë i lidhur me Barçën. Do të donim shumë që të kthehej, por është diçka që do të shihet”.

Një mendim edhe për Superligën Evropiane: "Ne vëmë bast për të, sepse duhet të reformojmë mënyrën se si funksionon futbolli evropian. Premier League do të shkojë nga 5 miliardë në 7 miliardë euro. La Liga do të shkojë nga 2 miliardë në 1.7 miliardë. Kjo e bën më të vështirë konkurrimin. Ne konkurrojmë sepse kemi forcë dhe histori, por ata kanë gjithnjë e më shumë burime financiare.

Kjo duhet të ndryshojë. Në pranverë, Gjykata e Luksemburgut do të prononcohet dhe shpresoj se do të jetë në favor të klubeve dhe konkurrencës së lirë evropiane. Ne po punojmë për të ndryshuar modelin e qeverisjes. Kemi parë se ata që fitojnë më pak janë klubet dhe kjo nuk mund të ndodhë. Klubet janë ato që paguajnë për këtë.

Mendoj se kjo do të ketë një rëndësi të ngjashme me atë të ligjit Bosman në atë kohë. Kjo nuk do të thotë se lojtarët nuk do të vazhdojë të kenë një punë shumë të paguar, por tani edhe klubet kanë nevojë për këtë mbështetje. UEFA duhet të jetë në atë tryezë qeverisjeje me ne. Nëse jo, mund të gjejmë një vend jashtë BE-së që ta organizojë një turne të tillë. Mendoj se futbolli ka nevojë për të”.

Dështimi në Champions, qysh në fazën e grupeve: "Eleminimi ishte një goditje shumë e rëndë, por ne kemi ditur ta durojmë. Prioriteti këtë vit është La Liga. Dhoma e zhveshjes, me trajnerin tonë në krye, e ka të qartë këtë gjë. Ne duam La Liga-n dhe duhet të mendojmë vetëm për këtë. Nuk dua të analizoj ndeshjet në fushën e Bayernit apo Interit, në të cilat na kanë shkatërruar nervat. Vendimet arbitrale na kanë penalizuar në të dyja këto ndeshje".

NJë vlerësim edhe për Lewandowski: "Ai është një nga arkitektët e rikthimit të gëzimit te Barcelona. Ka sjell profesionalizëm, eksperiencë, përgjegjësi. Ka sharmin dhe magjepsjen e një kampioni të madh. Ai erdhi i pari, por më pas kanë mbërritur të tjerë që kanë performuar shumë mirë. Koundé arriti në finalen e Kupës së Botës. Edhe Christensen ishte në Katar. Ne e kuptojmë se duhet të jenë më protagonistë në pjesën e dytë të sezonit, si Dembélé ose Raphinha".