Transmetuar më 23-12-2022, 07:34

Një fitore Botërori mbetet përgjithmonë, madje dikush vendos edhe ta përjetësojë si tatuazh… Ndodh që protagonistët dhe entuziastët e sportit vendosin t’i përjetësojnë momente të tilla të veçanta në lëkurën e tyre. Edhe dikush si Josè Mourinho, i cili në pamje të parë nuk duket si adhurues i madh i tatuazheve, ka vendosur që Kupat e Europës të fituara në karrierën e tij t’i vizatojë në trup.

Ka nga ata që vendosin të kujtojnë datën e një finaleje apo edhe të një goli të caktuar. Më pas ka edhe nga ato që iu referohen momenteve negative, si tatuazhi i famshëm i Pinila me traversën e goditur kundër Brazilit në Kupën e Botës 2014.

Ka të tjerë që ndoshta duhet t’i ishin shmangur përjetësimit të diçkaje paraprakisht, pa u arritur në fushën e blertë, si tifozi anglez më 2021, i cili kishte bërë tatuazh Kampionatin Evropian para finales së “Wembley”, ku në fakt triumfoi Italia me penallti.

Cili do të jetë imazhi, që argjentinasit do të duan më shumë ta bëjnë tatuazh? Përgjigja duket paksa e qartë, fotoja e Leo Messit teksa ngre trofeun e Kupës së Botës në Katar. Diçka që të kujton, jo shumë të fshehtë, fotot e Maradonës të vitit 1986 dhe që duket thuajse e bërë me qëllim për të qenë fotografia më përfaqësuese e këtij kampionati botëror.

Megjithatë, dikush ka vendosur të mos bëjë tatuazh të Messit me trofeun, ndoshta një zgjedhje shumë e paimagjinueshme. Kështu ai zgjodhi një tjetër imazh, po aq “viral”, ai i gjestit të vrazhdë të Dibu Martinez.

Siç raporton “MundoDeportivo”, në rrjetet sociale po qarkullon fotoja e një tifozi që ka zgjedhur si tatuazh portierin argjentinas, i cili provokon me “Dorezën e Artë” duke e vendosur para organit gjenital, trofe të cilin e mori si portieri më i mirë në “Katar 2022”.

Një skenë që ka shkaktuar shumë polemika, pasi Martinez është akuzuar për mungesë respekti në një moment “të shenjtë”, siç është ceremonia e ndarjes së çmimeve të Kupës së Botës. Por nëse marrim parasysh që portieri kishte bërë të njëjtën gjë në “Copa America” më 2021, ka gjasa që Dibu ka menduar se gjesti i vrazhdë ndoshta i sjell fat në fund të fundit. Në çdo rast, tifozi që ka bërë tatuazh portierin, është e panevojshme të thuhet se është kritikuar në rrjetet sociale.

Dikush ka sugjeruar që edhe silueta e portierit argjentinas, pritja e tij shpëtimtare ndaj Kolo Muani në minutën e 120-të, mund të jetë tatuazh i bukur, ndoshta sipas linjave të Michael Jordan. Prandaj, Martinez del nga ky Botëror si protagonist absolut. Ndoshta edhe ai vetë nuk e priste që të përfundonte në… lëkurën e dikujt.