Transmetuar më 22-12-2022, 12:05

TIRANË- Dje dje u transmetua nata e tretë e Festivalit të Këngës, e cila solli në vëmendje këngët ndër vite të performuara në këtë skenë. Këngëtarët e mirënjohur si Luan Zhegu, Aleksandër Gjoka Eranda Libohova, Valentin Markvukaj, Josif Gjipali, Bojken Lako, Redon Makashi, Altin Goci u ngjitën edhe njëherë në skenën e festivalit kombëtar, në një duet me konkurrentët për të kënduar hitet e tyre.

Mirëpo ajo që u vu re ishte mungesa e këngëtares Aurela Gaçe e cila i ka dhënë jehonë këtij festivali me dutetet e performuara përgjatë viteve. Këngët e saj nuk u shfaqën as në skenë, as në evente apo spote dhe për këtë këngëtarja ka bërë nje reagim zhgënjyes.

Ka qenë gazetari Andi Vrapi i cili ka shpërndarë një bisedë me Aulona Mustën, e cila kërkonte të dinte pse Aurela nuk ishte në festival. Kjo e fundit është përgjigjur duke ripostuar bisedën në Instastory.

“Në siglat promovuese të festivalit asnjë video e këtyre këngëve nuk ishte. Paçka se Aulona thotë që këto këngë janë… pse asnjë prej këtyre këngëve për 3 sekonda nuk ishte pjesë e promos? Në fakt ftesa për të marrë pjesë është marrë. Mbase fakti që nuk munda të jem në skenë bëri të më fshijnë edhe nga videot promovuese!. Më thanë që më duan, por në momentin që unë nuk kam mundësi të shfaqem, prej angazhimeve sigurisht, ndodh të të fshihet dhe historia, me shumë dashuri”– shkruan ndër të tjera Aurela.

Sot do të mbahet nata finale e Festivalit të 61-të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar dhe kjo natë ka rezervuar shumë emocione. 21 finalistë do të performojnë duke konkurruar gjithashtu për çmimin e madh dhe të rëndësishëm të festivalit, ku fituesi do të përfaqësojë Shqipërinë në spektaklin gjigand të ‘Eurovsion 2023’. 5 artistët e rinj të kualifikuar për në finale janë Melodajna Mancaku, Erma Mici, Urban Band, Gent Hoxha, Vanesa Sono të cilët u bashkohen në natën e sotme finale 16 këngëtarëve të afirmuar të muzikës. Me votat e publikut dhe jurisë sot do të shpallet fituesi i Festivalit të 61-të të Këngës