Transmetuar më 21-12-2022, 21:23

KOSOVË- Një rast i paprecedentë ka ndodhur në Spitalin e Pejës ku një foshnjë e vdekur është futur në lavatriçe e mbështjellë me çarçafë. Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikqi ka dhënë detaje lidhur me rastin. Ai tha se rasti ka ndodhur javën e kaluar, ndërsa janë në fazat fillestare hetimore.

Tutje, ai njoftoi se prokurorja e rastit e ka pritur në takim prindin e foshnjës, ku e ka informuar për të gjithë rastin.

“Javën e kaluar ka ndodhur rasti. Prokurorja ka dalë në vendin e ngjarjes. Në prokurori jemi në faza fillestare hetimore dhe nuk mund të ndajmë më shumë informacione për shkak të ndjeshmërisë së rastit. Prokurorja e rastit ka pritur në takim prindin e foshnjës dhe të njëjtin e ka informuar për të gjithë rastin, teksa e ka njoftuar se do ta mbajë të informuar edhe tutje.”

Lajmin për Gazetën Express e konfirmoi edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Agim Kurmehaj, i cili tha se lidhur me rastin kanë filluar hetimet. Ai e konfirmoi se foshnja ka qenë e vdekur.

“Po kanë filluar hetimet. Këtu është i përfshirë edhe inspektorati i Shëndetësisë, tash po këqyrim a ka persona përgjegjës për këto veprime neglizhente që kanë ndodh, a ka përgjegjësi eventuale. Po, po foshnja ka qenë e vdekur”, tha ai./Ekspress