Transmetuar më 20-12-2022, 13:59

Detaje të reja mësohen nga vrasja horror e Menduh Kurt-Dedës. Ngjarja ndodhi në 2017, ndërsa u zbardh vetëm pak ditë më parë pasi në “Kodër Shupal” u gjet një kufomë e djegur që i përkiste 61-vjeçarit Menduh Kurt-Dedës.

Marjeta Karaj e akuzuar së bashku me të birin dhe shokun e tij, vranë në mënyrë monstruoze 61-vjeçarin. Marjeta Karaj, e cila u arrestua është drejtoreshë e qendrës “Ndihmë dhe kujdes për fëmijët jetimë të ushtarakëve, brenda dhe jashtë vendit”.

Po ashtu mësohet se viktima ishte pjesë e kësaj qendre, ndërkohë që burime policore pohojnë se 61-vjeçari kishte lidhje intime me Marjeta Karaj.

Burri i Marjeta Karaj, Spiro Karaj ka dhënë një intervistë në emisionin “Me Zemër të Hapur” ku tregoi se nuk ka pasur dijeni për asgjë dhe se nuk ka pasur asnjëherë shqetësime të tilla në familje.

“Nuk dimë asgjë. Marrëdhënia jonë ka qenë normale si çdo njeri nuk ka qenë e acaruar. S’ka shprehur asnjëherë ndonjë shqetësim. Zotërinë nuk e njoh aq sa punonjës ka atje. Nuk e di të kenë pasur një biznes të përbashkët”, ka thënë ai.

Pjesë nga intervista:

Nuk kanë pasur magazinë?

Burri i Marjeta Karaj: Jo asgjë.

Keni qenë në dijeni për borxhin 10 mln lekë të vjetra?

Burri i Marjeta Karaj: Nuk di gjë moj ti, ajo shkonte në punë. Nuk ndërhyja.

Po ju vetë keni punuar?

Burri i Marjeta Karaj: Kam punuar sa na kanë dalë brinjët.

As nga djali juaj s’keni pasur shqetësim?

Burri i Marjeta Karaj: Po jo asgjë, çfarë jeni duke folur. Asgjë.

Nuk është e vërtetë që keni pasur tentativë divorci?

Burri i Marjeta Karaj: As nuk është parë ndonjëherë në ëndërr, asnjëherë.

A ishte përfaqësuese e fëmijëve…?

Burri i Marjeta Karaj: Ishte, por s’ka pasur zyrë. Çfarë të them unë jam me dhimbje me mushkri. Kam tentuar të shkoj ta takoj.

Djali i arrestuar bashkë pretendon se është shok me djalin?

Burri i Marjeta Karaj: Nuk i njoh fare. Nuk e di çfarë surrati ka.

Nuk e besoj këtë ngjarje, e kam akoma si ëndërr. Nuk e besoj gjallë në botë. Si të gjitha familjet e tjera, kam punuar një jetë në ndërtim. Nuk më kanë munguar para, ia kam lënë asaj të drejtën e lekëve, nuk e pyes unë ku shkon a apo jo.

Në 2017 kështu ka qenë marrëdhënia?

Burri i Marjeta Karaj: Po njësoj, asnjë pikë dyshimi.

S’keni pasur biznes privat?

Burri i Marjeta Karaj: Jo, jo s’kemi pasur biznes privat. Do të luftoj për të mbrojtur djalin me të gjitha mundësitë. Nuk e di është e pafajshme.