Tiranë- Detaje të reja dalin nga dy rusët dhe ukrainasin që u kapën në Gramsh.
Dy rusët Mihhail Zorin e Zvetlana Timofevva si dhe ukrainasi Fedis Alpatov dyshohet se nuk kanë fotografuar vetëm në uzinën e Gramshit, por shumë më tepër.
Raportohet se këta shtetas kanë filmuar edhe në dy objekte të tjera të rëndësisë së veçantë. Bëhet fjalë për repartin RENEA dhe rezidencën qeveritare në malin e Dajtit. Atyre u janë gjetur pamje filmike të marra përmes nga droni dhe me smartfonët.
Ndërkohë, ajo që përbën një çudi të madhe është sesi këta shtetas arritën të ngrenë dronin mbi dy pika strategjike të rëndësisë së madhe. Ata kanë arritur të marrin pamje nga lart të repartit të RENEA-s, teksa po hetohet nëse ata kanë marrë detaje nga stërvitja apo kanë ndjekur ndonjë individ të veçantë.
Ndërkohë, të arrestuarit kanë filmuar për minuta të tëra mbi vilën qeveritare në Dajt, e cila ruhet nga Garda e Republikës. Për disa minuta droni ka qëndruar mbi rezidencë dhe ka filmuar çdo detaj të mundshëm që mund të arrihet të shihet në atë pozicion. Duhet të themi se kjo rezidencë përdoret shumë rrallë nga kryeministri Edi Rama.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd