Transmetuar më 20-12-2022, 11:26

Rasti shpërtheu në finalen e Kupës së Botës në Katar, ku Argjentina triumfoi me penallti duke mposhtur Francën. Një ndeshje emocionuese plot kthesa, nga gjuajtja e Mbappe në fund, që e çoi lojën në kohën shtesë, deri te ruleta e penalltive që lejoi Messin të ngrinte në qiell Kupën e Botës, aq shumë të lakmuar.

Kaq zhgënjim për kombëtaren franceze, e cila u mjaftua me paraqitjen e jashtëzakonshme të numrit të saj 10. Megjithatë, tashmë përveç lotëve, Franca ka kaluar edhe në sulm, duke ndezur polemika për një gol të parregullt të argjentinasve.

Goli “nën akuzë” është ai i Messit, për rezultatin 3-2, realizuar në minutën e 108-të të kohës së dytë shtesë. Në fakt, "L’Equipe" ndau një imazh në fushë të gjerë gjatë golit, duke zbuluar arsyen pse goli duhej të anulohej.

Gjuajtja nga Lautaro, pritja nga Lloris dhe në "karambol" kampioni argjentinas mbërrin aty për të shënuar. Problemi është se ende pa hyrë topi në rrjetë, disa lojtarë të Argjentinës, brenda zonës teknike, kishin hyrë në fushë për të festuar golin. Nga pamjet shihen qartë dy lojtarë me këmbët e tyre mbi vijën e fushës, përpara se topi të kalonte vijën e portës.

Kjo eufori për të festuar nga ana e pankinës së Albiceleste mund të çojë në anulimin e golit, sipas rregullit 3.9 të rregullores së FIFA-s: “Nëse, pasi është shënuar një gol, gjyqtari vëren, përpara rifillimit të lojës, se ishte një person shtesë në fushën, në momentin që u shënua goli, gjyqtari do ta anulojë.

Kjo vlen nëse personi shtesë ishte një lojtar i hyrë në fushë pa autorizim, zëvendësues, lojtar i zëvendësuar ose i përjashtuar, ose një zyrtar i skuadrës që ka shënuar golin”.