Transmetuar më 20-12-2022, 08:53

TIRANË- Gazetarja Dorjana Bezati ka zbuluar se ka informacione se ish-efektivi Jeton Lami, i cili u arrestua disa muaj më parë pasi ishte kapur nga kamerat në shoqërinë e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj, ka dhënë dëshmi në lidhje me fatin e të zhdukurit.

E ftuar në “Top Story”, Bezati tha se ka informacione se Lami ka vendosur të flasë, por nuk dihet ende çfarë mund të ketë thënë.

Ajo tha se për momentin çështja e Lamit është duke u hetuar në prokurorinë e Lezhës por do t’i kalojë në dorë Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

“Ka informacione që Lami ka dhënë një dëshmi. Mbështetjen ndaj Martinajt nuk mund ta bënte i vetëm Jeton Lami por ka pasur edhe mbështetje të tjera. Deadline që ai vendosi është i pamjaftueshëm. Çështja e Lamit është në prokurorinë e Lezhës dhe flitet se do të kalojë në SPAK por në dijeninë time nuk ka kaluar ende,”- tha Bezati.

Ish-efektivi Jeton Lami është tentuar të merret në pyetje shumë herë, por nuk ka pranuar të flasë para prokurorëve. Ai u arrestua pas zhdukjes së të shumëkërkuarit Ervis Martinaj. ‘aAlarmi’ për zhdukjen e këtij të fundit bëri që të kqyreshin pamjet filmike dhe në një prej tyre, Lami shihej teksa futej në një hotel bashkë me Martinajn e një vajzë. Dëshmia e Lamit është konsideruar kyçe për zbardhjen e zhdukjes së të shumëkërkuarit.

Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit. Ai ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Por, në 9 gusht, u zhduk pa gjurmë. Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi dhe inskenim.

Lidhur me këtë çështje, ka pasur edhe reagime nga kryeministri Edi Rama. Ai paralajmëroi edhe zhvillime, duke u shprehur se Policia e ka një përgjigje, por shumë shpejt do dalë me prova. Rama vendosi dhe 100 ditë afat për kryepolicin Muhamet Rrumbullaku, por pavarësisht se afati ka skaduar, nuk ka asnjë detaj nga hetimet. Deri më tani, sipas publikimeve të dokumenteve në media, Prokuroria ka dalë në përfundimin se i shumëkërkuari Ervis Martinaj është ‘shitur’ nga një vajzë dhe më pas është ekzekutuar. Zyrtarisht nuk ka ende asnjë version.