Transmetuar më 19-12-2022, 21:36

GREQI- Dy shqiptarë të vdekur dhe një grua kliente e rastit në spital.

Ky ishte bilanci i një ekzekutimi mafioz që ndodhi një natë më parë në një lokal në Nea Smyrni Athinë.

Dy të vrarë mbetën Armando Ogranaja dhe Kreshnik Çerçizaj.

Gruaja e plagosur tregoi pë mediat greke se në lokal ishte së bashku me motrën, e pas tyre ishin ulur dy viktimat.

“Isha me motrën time në lokal, pikërisht pas tavolinës ku ishin ulur dy burrat, të cilët janë të vdekur. Ishim në këmbë dhe po flisnim me pronarin e dyqanit. Isha me shpinë dhe nuk e pashë sulmuesin kur hyri. Dëgjova të shtënat dhe pashë panik në dyqan”, tha fillimisht 31-vjeçarja, duke shtuar më pas:

“Në fillim nuk e kuptova se isha e plagosur derisa pashë gjakun. Disa sekonda para se sulmuesi të hynte në dyqan, unë dhe motra ime ndërruam vendet. Përndryshe ajo do të ishte në pozicionin tim tani dhe për fat ne ishim në këmbë, përndryshe plumbi do të më kishte goditur në kokë”.

Masakra ndodhi një natë më parë në Athinë. Një person i veshur me të zeza dhe me maskë kirurgjikale u fut dhe hapi zjarr në një restorant të mbushur me klientë. Ai u afrua pranë tavolinës ku ndodheshin dy shqiptarë dhe i qëlloi me breshëri plumbash. Më pas u largua me vrap. Çerçizaj ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa Ogranaja në spital.