Transmetuar më 18-12-2022, 15:26

Shtetasja ruse Svetlana Timofeeva që prej një muaji ka dalë nga spitali i burgut, ndodhet në burgun e grave ne IEVP Ali Demi (325). Timofeeva, e cila u arrestua nën akuzën se është spiune ruse, qëndron e vetme në dhomë të veçantë izolimi dhe me siguri të veçantë. Që prej ditës që ndodhet në qelinë e burgut Timofeeva ka pasur dy takime me përfaqësues të ambasadës ruse dhe ka pasur të drejtë të bëjë 4 komunikime me skype. Burime kofidenciale i thanë News24 se shtetasja ruse kupton dhe shprehet edhe në gjuhën shqipe.

Timofeeva që kur u arrestua më 20 gusht qëndroi në spitalin e burgut, pasi sipas mbrojtjes së saj ajo kishte probleme shëndetësore, si çrregullime të ankthit. 33-vjeçarja qëndroi 3 muaj në spitalin e burgut dhe një grup sigurie nga burgu i grave qëndroi në spitalin e burgut për ruajtjen e sigurisë së ruses.

Kujtojmë që Prokuroria e Elbasanit ka regjistruar tre akuza për çështjen e rusëve dhe ukrainasit që hynë në uzinën e Gramshit dhe ka dërguar dosjen për gjykim. Bëhet fjalë për nenin 214, “sigurimi dhe dhënia e informacioneve ushtarake një shteti të huaj me qëllim cenimin e pavarësisë”, nenin 237 “goditje për shkak të detyrës dhe mbajtje e armëve të ftohta pasi mbajtja e neuropalizuesve profesionale futet tek armët e ftohta”, si dhe nenin 279 “Mbajtja, blerja apo shitja në automjete apo në çdo mjet tjetër të motorizuar, në mjedise publike ose në mjedise të hapura për publikun, e armëve të ftohta.”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd