Transmetuar më 18-12-2022, 14:29

Ekzekutimi në muajin Tetor 2021, i Lulzim Bitrit vëllait të Eljo Bitrit dhe Ardian Çollakut, është një nga dosjet hetimore për të cilat ka rëfyer në SPAK, Erjon Alibej. I njohur në botën e krimit me nofkën “Krymi”, Alibej duket se po kthehet në bashkëpuntorin e 5 të prokurorisë SPAK, në atë që përbën dosjen voluminoze “Dumani”.

I arrestuari si organizator dhe financues i 7 vrasjeve të ndodhura nga Elbasani deri në Durrës, ka treguar emra se kush janë autorët e vrasjes së dyfishtë të Lulzim Bitrit alias Tapia dhe Ardian Subashit alias Çollaku. Tre prokurorë të SPAK, po hetojnë emrat e dhënë nga Alibej dhe nëse do gjendet prova, në kohët në vijim do ketë finalizim me arrestimin e tyre. Një tjetër dosje hetimore që është tërhequr nga Elbasani, ka të bëjë me ngjarjen e 30 korrikut 2020, ku mbeti i vrarë Florian Lamçe.

Dy muaj më parë për këtë ngjarje u dënua nga Apeli Durrës me 10 vite burg Sokol Sanxhaktari, dhëndri i ish-kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini. Dhe me 8 vjet heqje lirie u dënua bashkëpuntori i tij, Adriano Hajdari. Pavarësisht se kjo dosje është gjykuar dhe zgjidhur me vendim gjykate, ku autorët kanë dalë fajtorë, SPAK, e ka rimarë në studim këtë çështje. Ora News” mëson se një tjetër dosje, që SPAK ka tërhequr pas dëshmisë së Erjon Alibej, ka të bëjë me rrëmbimin në Tiranë të shtetasit Abaz Keta.

Kjo çështje i është përcjellë SPAK-ut, nga prokuroria e Tiranës me qëllim verifikimin e akteve dhe personat përgjegjës. Mes dosjeve të tërhequra janë dhe dy çështje penale për të kërkuarin Suel Çela, në të cilat ai është gjykuar dhe ka marë pafajësi në tre shkallët e gjyqësorit. Një tjetër çështje penale, që SPAK ka tërhequr nga prokuroria e Elbasanit, ka të bëjë me atentatin e 25 nëntorit 2020, ku mbeti i plagosur Ervis Çaushllari alias “Vis Korçari”. Njëherësh është marë informacion nga Drejtoria e Policisë Durrës, për të gjitha konfliktet dhe denoncimet që ka pasur Nuredin dhe Dashnor Dumani në qytetin e Durrësit.

Po ashtu SPAK, ka tërhequr një dosje penale nga prokuroria e Lushnjës, ku rezulton se Nuredin Dumani është proceduar për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugur” në një aksidet me makinë. Gjithashtu, të dhëna janë kërkuar dhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, për dinamikën e vuajtjes së dënimit të të dënuarit Nuredin Dumani.