Transmetuar më 17-12-2022, 14:54

Britani e Madhe- Trafikantët përpiqen të jenë gjithmonë një hap përpara policisë.

Shkopinj temjani për të mbuluar erën e kanabisit; kjo ishte mënyra që përdorej në disa prej adresave të mësyra nga policia në Hartlepool të Britanisë së Madhe, gjatë një aksioni që synonte pengimin e furnizimit të drogë të klasit B.

Mediat vendase thonë se bandat përdornin banesat me tarraca si ferma kanabisi, dhe në shumicën dërrmuese të rasteve, marrin klandestinë për t`u kujdesur për rritjen e bimëve në to.

Një njërën prej pronave, forcat e rendit gjetën një emigrant të paligjshëm shqiptar, i cili qëndronte i fshehur pas një dere në katin përdhes të banesës. Bimët e kanabisit po rriteshin në dhoma në pothuajse të gjithë ndërtesën.

Efektivët i hynë punës për të çmontuar të gjitha pajisjet e specializuara që përdoreshin për kultivimin e lëndës narkotike. Oficerët zbuluan se matësit elektrikë në këto prona ishin manipuluar, ndërsa bandat përgjegjëse kishin tentuar të bllokonin dritaret, në mënyrë që të mos shihej dot se çfarë ndodhte brenda.

Në të gjithë këto ferma të improvizuara kanabisi kishte kanaçe të panumërta me freskues ajri, përveç temjanit, me qëllimin të mbulohej era e fortë që vinte nga ndërtesat. Javën e kaluar u tha përpara një gjykate vendase sesi një fermë e tillë, e krijuar brenda një pub-i të braktisur, ishte e lidhur me mafian shqiptare.

Kur policia bastisi ndërtesën në tetor, zbuloi aty 816 bimë kanabisi me vlerë 685,000 paundë. Për bimët kujdeseshin dy emigrantë të paligjshëm shqiptarë, të identifikuar si Ali Boza, 46 vjeç dhe 32-vjeçari Julian Imeri. Ata u dënuan me nga 18 muaj për burg, dhe u tha se do të deportoheshin në Shqipëri pasi të vuanin gjysmën e dënimit.