Transmetuar më 17-12-2022, 10:11

Prej pak kohësh ishte në ajër, por falë pandemisë u shty të paktën nja dy herë. Në konferencën përmbyllëse të "Katar 2022", presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino ripropozoi zyrtarisht projektin e "një Kupë e re Botërore për Klube, një turne me 32 ekipe, i cili do të zhvillohet në vitin 2025. Do të jenë 32 klubet më të mira në botë".

Megjithatë, Infantino nuk ka dhënë asnjë detaj për strukturën dhe vendin e zhvillimit të këtij kompeticioni. Infantino trajtoi edhe temën e Kupës së Botës të ardhshme 2026 në SHBA, Kanada dhe Meksikë, e para me 48 ekipe:

"Ndikimi i futbollit do të jetë i madh në Amerikën e Veriut. Të ardhurat do të rriten në drejtim të transmetimit, sponsorizimit, biletave dhe mikpritjes, falë rritjes në 48 ekipe të finalistëve. Ne do të luajmë në stadiume të mëdha, që zakonisht përdoren për futbollin amerikan.

Në Katar grupet me katër skuadra ishin absolutisht të pabesueshme. Ne duhet të rishikojmë, ose të ridiskutojmë formatin. 16 grupe me 3 apo 12 grupe me nga 4? Është një aspekt që do të jetë në rendin e ditës të takimeve të ardhshme”.

Presidenti i FIFA-s më pas bëri një vlerësim pozitiv për "Katar 2022": "Ky Botëror ka treguar një forcë të madhe kohezioni. FIFA falënderon të gjithë ata që janë përfshirë, Katarin, vullnetarët. Ky edicion ka rezultuar më i miri ndonjëherë.

Futbolli është bërë vërtetë global, siç e dëshmon skuadra e parë afrikane në gjysmëfinale. Ne kishim gjyqtaren e parë femër. Mbi tre milionë spektatorë në stadium, 5 miliardë para televizorit. Atmosfera ishte e gëzueshme. Një sukses i pabesueshëm".