Transmetuar më 16-12-2022, 23:32

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka konsideruar inekzistente policinë dhe shtetin, pas vrasjes së biznesmenit 49-vjeçar, Edmond Papa, i cili u qëllua me 9 plumba këtë pasdite. Në një reagim në rrjetet sociale, Berisha shkruan se kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi e kanë shndërruar Shqipërinë në një vend të pasigurt për qytetarët.

“Atentat në zemër të Tiranës! Ligji dhe rendi në duart e krimit! Te dashur miq, një tjetër atentat, me pasojë vdekjen, ka ndodhur pak çaste më parë, në zemër të Tiranës, në Komunën e Parisit. Aq inekzistente janë qeveria dhe policia në këtë vend, sa kriminelët nuk pyesin më për asgjë. Me platformën e Edi Ramës kokën t’i hanë njeri tjetrit rendin e bëjnë kriminelët dhe vrasësit. Atentatet bëhen kudo, kriminelët nuk kujdesen aspak për detaje e as nuk kanë më frikë nga policia, përkundrazi, policia dhe qeveria liçenson aktet e tyre. Edi Rama dhe ministri i tij familjes Çuçi kane shndërruar Shqipërinë në një vend të pasigurtë për ne dhe fëmijët tanë, një vend ku bandat dhe qeveria nuk kanë më asnjë dallim nga njëra-tjetra” – shkruan Berisha.

49-vjeçari ishte në një lokal në zonën e Selitës këtë pasdite, kur u qëllua me armë zjarri. Ai u dërgua në spitalin e Traumës, por ndërroi jetë në momentin që do të futej në sallën e operacionit. Edmond Papa ka jetuar në Londër dhe ishte i dënuar për trafik droge në Greqi. Vrasja dyshohet se ka ardhur për shkak të prishjes së pazareve të drogës në kryeqytetin britanik.