Transmetuar më 16-12-2022, 20:50

KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se dënimi i ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, me 26 vjet burgim për krime lufte, është vendim “indinjues”. Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, më 16 dhjetor e shpallën fajtor Mustafën për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

Kurti, përmes një postimi në Facebook, tha se ka “mijëra vrasës nga Serbia” që nuk janë dënuar e as gjykuar për “mizoritë që i kanë bërë në Ballkan”. Sipas tij, vetëm 26 serbë janë dënuar për mbi 12.000 të vrarë dhe mbi 20.000 të dhunuar seksualisht në Kosovë.

“E megjithatë ata kanë marrë dënime shumë më të lehta se ai që iu dha sot Salih Mustafës, i cili ka luftuar jo për të pushtuar ndonjë vend tjetër, por për të çliruar vendin e vet”, shkroi Kurti.

Kryeministri i Kosovës tha se shpreson që institucionet e pavarura të drejtësisë “do ta kuptojnë padrejtësinë dhe do të reflektojnë në shkallët e tjera të gjykimit”.

“Është e papranueshme kur çlirimtarin na e gjykojnë më rëndë se agresorin gjenocidal”, shtoi Kurti.

Ndryshe, dënimi ndaj Salih Mustafës ishte i pari vendim i shqiptuar për akuzat për krime lufte nga Dhomat e Specializuara.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Gjykata Speciale e Kosovës është formuar pas publikimit të një raporti të Këshillit të Evropës më 2011, nën autorësi e senatorit zviceran, Dick Marty. Më 2015, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për formimin e kësaj gjykate. Marrë nga REL