Transmetuar më 16-12-2022, 18:17

BALLSH- Futbollisti i Bylisit, Flamur Ruçi i ka kushtuar sot golin e fitores vëllait të tij, i cili humbi jetën disa ditë më parë në Angli. Gjatë ndeshjes Bylis-Egnatia golin e vetëm të fitores e ka shënuar Ruçi në minutat shtesë.

Pas ndeshjes, Ruçi teksa në trup mbante një bluzë të stampuar me foton e tij dhe të vëllait, u shpreh se këtë gol ia dedikoi atij. Ai falënderoi mediat, shokët dhe të gjithë tifozët që po i gjenden pranë familjes Ruçi në këto momente të vështira për ta.

"Shumë faleminderit, juve dhe të gjithëve. Ka qenë një ngjarje që e kemi përjetuar, si unë si familja ime, ekipi, shokët. Sot më ka ndihmuar ai nga lart dhe golin ja dedikoj atij. Jam shumë i lumtur për golin dhe për tre pikët",tha Ruçi.

Mariglen Ruçi, vetëm 24 vjeç, humbi jetën tragjikisht në Britaninë e Madhe, pasi u afiksua në një shtëpi bari, ku ai punonte për të siguruar të ardhura për familjen. Banesa, që ai ruante, shpërtheu në flakë dhe fatkeqësisht 24-vjeçari nuk arriti të dalë.