Transmetuar më 16-12-2022, 14:35

TIRANE- E papritur! Ambasadorja amerikane Yuri Kim shkon në sallën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë ku po zhvillohet seanca dëgjimore për zgjedhjen e drejtuesit të ri të SPAK. Kim ka mbërritur në KLP për të monitoruar procesin. Ambasadorja ka mbërritur në momentin kur kandidati Ervin Kondili është duke shpalosur platformën e tij. Ambasadaorja është brenda sallës dhe është ulur në pjesën ku qëndrojnë përfaqësuesit ndërkombëtarë.

Mbërritja e Kim i habiti anëtarët e KLP që deri në atë moment ishin duke qëndruar të palëvizur në tryezë. Prania e ambasadores në këtë proces është e pazakontë dhe vjen në kulmin e përplasjeve të saj me kryeministrin Edi Rama, për emrin e ri që do të zgjedhë Prokurorinë e Posaçme.

Procesi për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK vjen pas një përplasjeje mes kryeministrit Edi Rama dhe ambasadës amerikane, që nuk ka shpëtuar pa u lexuar në media. SHBA mbështet kandidatin Altin Dumani për të marrë drejtimin e SPAK ndërsa qeveria dhe PS kërkojnë përzgjedhjen e Ervin Kondilit. Përplasja u bë edhe më e dukshme dy ditë më parë, kur Kim dhe Rama shkëmbyen replika në distancë për pavarësinë e trupës së KLP në zgjedhjen e kreut të SPAK.