
Kryeministri Edi Rama thotë se pedagogët në universitetet publike do të kenë rritje të re pagash në vitin 2023, por nuk përcaktoi sa do të jetë ajo.
Gjithsesi Rama paralajmëron se rritja nuk do të jetë e njëjtë për të gjithë stafin akademik, por e përshkallëzuar, siç tha ai, sipas meritës.
I pranishëm në ceremoninë e 65-vjetorit të Universitetit të Tiranës, Rama tha se bashkë me universitetet po përgatiten për të parë disa konkluzione të një raporti mbi situatën aktuale dhe objektivat e ardhshme, duke theksuar se një element që po diskutohet është diferencimi i pagave.
Më herët, këtë vjeshtë, qeveria rriti me 7 për qind pagat e të gjithë pedagogëve dhe u la hapësirë rritjeje deri në 8 për qind më shumë, çdo universiteti sipas mundësive. Disa universitete aplikuan rritjen shtesë.
Por pedagogët janë shprehur se kjo rritje është e pamjaftueshme dhe nuk i përgjigjet kërkesave dhe nevojave të tyre.
Sipas kryeministrit Edi Rama, pagat e pedagogëve do të jepen sipas meritave dhe jo uniforme dhe shtoi se një shembull sesi do të bëhet kjo, do të jepet që vitin e ardhshëm.
“Për pagat është bërë një debat i konsiderueshëm. E rëndësishme është që u bë rritja e nevojshme me fondet e universiteteteve dhe fondet e qeverisë dhe ne po përgatitemi për të parë disa konkluzione të një raporti mbi situatën aktuale dhe ku duam të shkojë universiteti në 2030.
Një nga elementët për të cilin ne po përgatitemi është të diferencojmë pagat në kuptimin e diferencimit të kontributeve të qeverisë dhe buxhetit për të vlerësuar më shumë cilësinë, për t’i dhënë më shumë mundësi atyre që japin më shumë dhe për t’i dhënë fund uniformitetit në mbështetjen financiare në vlerësimin e trupës pedagogjike.
Besoj se që prej vitit të ardhshëm do të japim një shembull sesi kjo do bëhet, që do thotë se do ketë një kontribut nga ana jonë për rritjen e pagave për pedagogët, por kjo rritje nuk do jetë uniforme”, u shpreh Rama.
Ai pohoi se "do të keni përsëri një kontribut nga ana jonë për rritjen e pagave të pedagogëve".
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





