Transmetuar më 16-12-2022, 07:10

Fati i Ervis Martinajt ende mbetet mister, ndërsa drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku po i mbaron afati i vendosur nga kreu i qeverisë, Edi Rama për zbardhjen e zhdukjes së “mbretit” të lojërave të fatit.

Ndonëse policia ka kryer kontrolle në disa qytete, ende nuk ka asnjë gjurmë të tij.

“Zoti drejtor, unë besoj që brenda 100 ditëve policia duhet të dalë nga udhëkryqi që ndodhet dhe sikur e ka pasur paraardhësi juaj, të plotë dhe pa kushte”.

Njëqind ditë më parë kjo ishte kërkesa e kryeministrit, Edi Rama ndaj drejtorit të sapo emëruar të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku për zbardhjen e zhdukjes së mistershme të Ervis Martinajt, që konsiderohet si “mbreti” i lojërave të fatit.

Tashmë kanë kaluar 100 ditë, nga afati i Edi Ramës, por ende asnjë gjurmë e re nuk është identifikuar nga zhdukja e “mbretit” të basteve.

Afro një muaj pas kësaj deklarate të kryeministrit, Rrumbullaku foli për disa detaje nga zhdukja e Martinaj ku tha, se e dinte fatin e tij, por po priste grumbullimin e provave.

Edhe pse ka kaluar më shumë se një muaj nga deklarata e fundit e mbledhjes së provave, ende policia heziton të flasë për fatin e Martinajt, ku nuk dihet nëse ka prova për zhdukjen e tij.

Për ‘mbretin e lojërave të fatit’, janë bërë disa kontrolle nga FNSH në Tiranë, Shijak, Durrës dhe Vlorë, por deri tani nuk dihet asgjë për fati e martinat.

Familjarët e Ervis Martinajt gjatë muajit gusht të këtij viti, shkuan në policinë e Kurbinit duke kërkuar prej tyre që t’ia gjejnë djalin pasi dyshonin se mund t’i ketë ndodhur diçka e keqe pasi nuk kishin kontaktuar me të prej tre ditësh.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd