Roy Keane, legjenda e futbollit irlandez dhe Manchester United, iu rikthye eliminimit të Anglisë nga Kupa e Botës: "Ajo që bën Anglia në ndeshjet e mëdha është të gjejë një mënyrë për t’i humbur ato. Si mund të fitoni turne të mëdhenj si ata?
Lojtarët duhet të jenë në gjendje të marrin në dorë kontrollin e situates. Gjatë ndeshjes kundër Francës ata patën shansin ta fusin kundërshtarin në krizë. Nëse e lehtëson presionin ndaj një rivali të tillë, e paguan shtrenjtë”, – tha ai për “The Sun”.
Kritikat ndaj Brazilit – Roy Keane kishte reaguar edhe ndaj trajnerit të Brazilit, Tite, për kërcimin bashkë me lojtarët në festimin e golave të shënuar në “Katar 2022”. Ish-kapiteni i Manchester United i kishte thënë teknikut brazilian ta ruante atë lloj harbimi për klubet e natës.
“Selecao” mposhti lehtësisht Korenë e Jugut për të siguruar çerekfinalet e Botërorit. Festë e madhe “samba” te gjigantët amerikano-jugorë pas çdo goli, trajneri Tite madje u bashkua me lojtarët e tij në këtë “balet”, gjë që e zemëroi Keane, i cili e goditi trajnerin brazilian ndërsa ishte në detyrën e ekspertit të ITV.
Tite mbrojti veprimet e tij dhe këmbënguli se kurrë nuk kishte ndërmend të mos respektonte Korenë e Jugut me “samban”. Mirëpo, ish-kapienti i “Djajve të Kuq” i ka hedhur benzinë zjarrit me komentet e tij, kur iu kërkoi brazilianëve ta ruanin kërcimin e tyre për në klubet e natës:
"Më pëlqen t’i shikoj sepse ata janë të shkëlqyer në futboll, por jo kur kërcejnë, apo trajneri fillon të kërcejë. Ky nuk është respekt. Nuk e kuptoj se si një trajner mund të kërcejë kur loja është ende duke vazhduar. Ai ka trajnerin kundërshtar 10 metra larg, ju duhet ta shikoni këtë. Futbolli ka të bëjë me respektin.
Vallëzoni më pas në dhomën e zhveshjes ose në klubin e natës, kjo nuk përbën problem. Pse qenka në rregull që Brazili ta bëjë këtë gjatë lojës? Nëse të gjithë kanë një kërcim të vetin pas çdo goli, ndeshjet do të vazhdojnë për tri ditë”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd