
Konferenca për shtyp e trajnerit luzitan në prag të ndeshjes kundër Marokut, në çerekfinale të Kupës së Botës në Katar, nisi me temën dominuese të ditëve të fundit: Cristiano Ronaldo dhe roli i zëvendësuesit që kapiteni pati në përballjen me Zvicrën.
Pas triumfit 6-1 ndaj zviceranëve, dolën informacione se gjoja CR7 dhe Fernando Santos kishin pasur një bisedë të ashpër dhe se sulmuesi madje kishte kërcënuar se do të largohej nga Katari. Të gjitha këto janë mohuara nga trajneri i kombëtares portugeze:
"Zakonisht ua njoftoj formacionet lojtarëve në stadium, para ndeshjes. Gjithmonë e kam bërë kështu, por këtë herë fola fillimisht me Ronaldon. Ai është kapiteni i ekipit, është dikush që ka dhënë kaq shumë për Portugalinë. Unë duhej ta kisha atë ballë për ballë. Ndodhi një ditë para ndeshjes, pas drekës, në zyrën time.

Nuk kisha folur kurrë vetëm për vetëm me Ronaldon më parë. I thashë: Cristiano, nuk do t’ju aktivizoj nga fillimi, por mendoj se do të jeni akoma shumë i rëndësishëm gjatë ndeshjes. A ishte i kënaqur? Është e qartë se jo, ai ka luajtur gjithmonë në formacionin fillestar dhe kjo është normale. Gjithsesi, ishte një bisedë e qetë.
Ai nuk më tha kurrë, në asnjë moment, se donte të largohej nga kombëtarja. Është bërë modë të sulmohet Ronaldo. Megjithatë, ishte ai që e mbështeti kombëtaren më shumë nga stoli, brohoriste për të gjithë golat. Ju lutem lëreni Ronaldon të qetë”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





