
Çmimi i energjisë elektrike duket se nuk do të ndryshojë as këtë muaj dhe kështu kjo nuk do të ndodhë përfundimisht sepse qeveria kishte vendosur aplikimin e çmimit të ri vetëm për periudhën tetor deri dhjetor 2022.
Pyetjes së qytetarëve në rrjetet sociale se si ka mundësi që qeveria e blen energjinë më shtrenjtë dhe e shet më lirë kryeministri iu përgjigj me mungesën e kapaciteteve për të rezervuar ujin e tepërt në mot me reshje.
Pyetje nga rrjetet sociale: “Si ka mundësi me e shit lirë dhe me e ble shtrenjtë energjinë? Ne këna dhe energji diellore apo duhet me kap nai lek tenderash?”
Kryeministri Edi Rama: Si ka mundësi! E kemi shpjeguar me qindra herë në mos mijëra sesi ka mundësi dhe ky është problemi në fakt, që pikërisht pse ne nuk kemi ende një kapacitet rezervues të ujit kur e kemi me tepri, pra për ta thënë ndryshe, pikërisht pse ne nuk kemi akoma Skavicën të cilën jemi në proces për ta ndërtuar më në fund pas nuk e di sa u bënë tani, por të paktën nja 60 vjet nga ideimi, ne detyrohemi ta shesim energjinë atëherë kur dhe të tjerët nuk janë në pikë të hallit dhe duke mos pasur rezervë ne detyrohemi ta blejmë kur jemi në pikë të hallit. Pra e blejmë shtrenjtë kur s’ka dhe kryesisht në periudhën e thatësirës së madhe gjatë verës dhe e shesim lirë kur ka. Kjo është e gjitha, në thelb, pastaj në kushtet e sotme kur çmimi ka marrë përpjetë në mënyrë të frikshme këto janë lëvizje që bëhen në bazë të një përllogaritjeje milimetrike financiare që bën kompania, nuk janë gjëra që diskutohen kaq kollaj “hajde se po flasim”.
Nga ana tjetër, kjo nuk është punë tenderash sepse energjia vlerësohet në bursë, ka një bursë dhe blihet në burse, kështu që janë shumë të qarta proceset dhe janë shumë transparente dhe është e pamundur për t’i bërë ndryshe.
Kështu që, me ndërtimin e Skavicës, ne do të kemi më në fund kapacitetin që të krijojmë rezervë dhe me gjithë projektet e tjera përfshirë dhe parqet me energji diellore që njeri prej tyre ka nisur nga ndërtimi, tjetri është në proces për të nisur dhe janë dy parqet më të mëdha në rajon dhe së bashku bëjnë një kapacitet të konsiderueshëm, shtuar këtu fillimi i prodhimit të energjisë ato anijet që kemi sjellë në Vlorë për të cilat kemi bërë edhe një operacion shumë të rëndësishëm për të garantuar furnizimin me një kosto të arsyeshme dhe pastaj që mos t’i numëroj të gjitha me radhë projektet e tjera, ne do ta arrijmë që në 2025 të jemi plotësisht të vetëmjaftueshëm, pra të mos kemi nevojë për import kur kemi vit me reshje normale dhe në 2029 të jemi totalisht sovran edhe në mos paçim reshje normale si pasojë e krimit të gjithë këtyre burimeve të tjera.
Pra, na duhet edhe ca kohë, por për herë të parë në historinë e këtij vendi, të paktën qysh nga momenti kur ka ndryshuar komplet struktura dhe nevoja për energji, pra nga ’90-ta, kemi një proces të mirë konceptuar, të mirë organizuar dhe të detajuar deri në fund për të arritur atë që duhet të kishim arritur me kohë, sovranitetin e plotë energjetik të Republikës së Shqipërisë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





