Transmetuar më 03-12-2022, 12:53

TIRANË- Ende nuk ka asnjë përgjigje zyrtare lidhur me fatin e të zhdukurit Ervis Martinaj, por duket se hetimet vazhdojnë. Në një konferencë për shtyp, kryepolici Muhamet Rrumbullaku tha se hetimet për zhdukjen e të shumëkërkuarit janë në rrugë të mbarë por u rezervua me të dhënat që dha para gazetarëve.

“Sot jemi për një çështje tjetër më madhore. Por do t’ju përgjigjem shkurt. Policia e Shtetit është në rrugë të mbarë për hetimin e rastit për të cilin ju i referoheni. Ne mendojmë se jemi në rrugën e mbarë për të zgjidhur rastin”- tha Rrumbullaku. Ndërkohë që xhaxhai i tij, Faik Martinaj pak ditë më parë u shpreh publikisht se ishte kryeministri Edi Rama ai që fshihej pas të gjithë ngjarjes duke bashkëpunuar me 6 banda për pronat në bregdet. Por edhe ai nuk dha emra veç atij të numrit një të qeverisë.

VD/ Xhaxhai i Ervis Martinajt "thyen" heshtjen: Rama, ideatori i zhdukjes me 6 banda kriminale, shkak, pronat në bregdet! Të nxjerrë xhenazen ti bëjmë një varr Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit. Ai ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Por, në 9 gusht, u zhduk pa gjurmë. Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi dhe inskenim.

Lidhur me këtë çështje, ka pasur edhe reagime nga kryeministri Edi Rama. Ai paralajmëroi edhe zhvillime, duke u shprehur se Policia e ka një përgjigje, por shumë shpejt do dalë me prova. Deri më tani, sipas publikimeve të dokumenteve në media, Prokuroria ka dalë në përfundimin se i shumëkërkuari Ervis Martinaj është ‘shitur’ nga një vajzë dhe më pas është ekzekutuar. Zyrtarisht nuk ka ende asnjë version, pasi edhe Rama u tërhoq. Ai tha se përderisa nuk ka prova, Policia e Shtetit nuk do të shprehet zyrtarisht për këtë dosje.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd