Transmetuar më 03-12-2022, 10:00

Pas humbjes 3-2 në ndeshjen “piroteknike” kundër Zvicrës, Serbia i thotë lamtumirë Kupës së Botës në Katar. Ajo duhet të përballet me një eliminim përvëlues në fazën e grupeve dhe rezultat poshtërues për vendin e fundit, me vetëm një pikë të fituar në tri ndeshjet e luajtura në këtë Botëror. Ashtu siç pritej, sfida vendimtare ndaj kombëtares zvicerane ishte shumë e zjarrtë, me lojtarët e të dyja palëve që nuk u kursyen përsa i përket agresivitetit dhe furisë konkurruese.

Nisur nga aksionet e larta dhe inatet e vjetra mes disa prej protagonistëve në fushë (veçanërisht mes serbëve dhe dy zviceranëve me origjinë shqiptare Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, të cilët në ndeshjen e Botërorit të Rusisë bënë shqiponjën dykrenare shqiptare pas golave të tyre, duke treguar ndjenjat e tyre antiserbe) ishte e qartë edhe para ndeshjes se një shkëndijë e vogël do të mjaftonte për të çliruar tensionin.

Dhe kështu ishte. Fitilin e ndezi Xhaka, i cili pas një debati në distancë, në një fazë kur loja u ndërpre, bëri një gjest drejt pankinës serbe. Mesfushori i Arsenalit në fakt përsëriti atë që Dushan Vlahovic kishte bërë më parë, kur festoi golin e tij. Pas golit të çastit 2-1, Xhaka vendosi duart në pjesët intime në shenjë të qartë sfide.

Në atë moment të gjithë lojtarët në stolin serb u ngritën menjëherë në këmbë dhe ishin gati të futeshin në fushë për t’u përballur me kapitenin e Zvicrës. Trajneri serb Dragan Stojkovic, ish-zvicerani i Atalantës, Remo Freuler dhe partneri i tyre Sergej Milinkoviç-Savic u kujdesën për t’i frenuar me vështirësi dhe për të parandaluar një sherr të vërtetë. Ata, në njëfarë mënyre arritën të rivendosnin qetësinë pas disa minutash tension.

Në finale, me futbollistët serbë të frustruar nga eliminimi që po afrohej nga Kupa e Botës Katar 2022, padyshim që shpirtrat në fushë u nxehën shumë më tepër dhe Xhaka në mënyrë të pashmangshme përfundoi në “radarët” e futbollistëve serbë, të cilët më parë e kishin synuar për gjestin e turpshëm kundër stolit kundërshtar.

Dhe kështu në dy raste, serbët u përpoqën të hakmerreshin ndaj shqiptarit, me të cilin patën debate të ashpra dhe një sërë goditjesh. Mbi të gjitha, mbrojtësi i Fiorentinës, Nikola Milenkovic dhe portieri i Torinos, Vanja Milinkovic-Savic, sulmuan me më shumë zjarr kapitenin e kombëtares zvicerane.

Sidoqoftë, Xhaka nuk u tut fare, përkundrazi iu qëndroi ballë për ballë si zemërluan, ashtu sikurse bëri vëllai i tij, Taulant Xhaka, mu në mes të Beogradit, kur luante Shqipëria ndaj Serbisë dhe mbi stadium u ngrit droni i famshëm…

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd