Transmetuar më 30-11-2022, 07:17

FIFA ka zbuluar pse goli i parë i Portugalisë kundër Uruguajit nuk iu akordua pesë herë fituesit të “Topit të Artë”, Cristiano Ronaldo. Sulmuesi 37-vjeçar mendoi se kishte realizuar golin e tij të dytë në Kupën e Botës 2022, kur prishi ngërçin në përballjen e grupit H, të hënën.

Ronaldo besonte se e kishte prekur topin lehtë në krosimin nga goditja e dënimit e Bruno Fernandes, i cili u fut në këndin e poshtëm të portës uruguajane. Megjithatë, FIFA, me ndihmën e teknologjisë më të fundit nga furnizuesit e topave të ndeshjes Adidas, ka shpjeguar pse goli në fjalë nuk i përket CR7, por shokut të tij të kombëtares portugeze.

Një deklaratë nga FIFA, e dhënë për ESPN thotë: "Në ndeshjen midis Portugalisë dhe Uruguajit, duke përdorur teknologjinë e çipit të vendosur në topin e ndeshjes zyrtare të Adidas, ‘Al Rihla’, ne jemi në gjendje të tregojmë përfundimisht se nuk ka pasur asnjë kontakt me topin nga Cristiano Ronaldo në golin hapës të ndeshjes.

Asnjë forcë e jashtme mbi topin nuk mund të konstatohet, siç tregohet nga mungesa e ‘rrahjeve të zemrës’ në matjet tona. Sensori IMU 500Hz brenda topit na lejon të jemi shumë të saktë në analizën tonë".

Topi më i fundit i FIFA-s i Kupës së Botës lejon që të dhënat në kohë reale t’iu jepen zyrtarëve të ndeshjeve, duke ndihmuar në vendimet jashtë loje dhe ‘goal line’. Fernandes e kishte daravitur tashmë debatin lidhur me atë se kujt duhej t’i jepej goli i parë kundër Uruguajit. Pasi shënoi një penallti të vonuar, që vulosi fitoren 2-0, mesfushori i Manchester United tha:

"E festova golin sikur të ishte i Cristianos. M’u duk se ai e kishte prekur topin. Synimi ishte të krosoja topin për të. Jemi të lumtur me fitoren, pavarësisht se kush shënoi. Më e rëndësishmja është që ia arritëm qëllimit, të jemi në raundin tjetër".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd