Transmetuar më 24-11-2022, 12:53

FIER- Përfundojnë hetimet për vrasjen e Valdete Mamaj në Fier në shkurtin e këtij viti nga bashkëshorti i saj Petrit Mamaj. Dosja në ngarkim të autorit për këtë ngjarje do të dërgohet për gjykim. Rasti u paraqit si vetëvrasje, por vetë Mamaj ka pranuar autorësinë e krimit të rëndë. Autori rrezikon të dënohet jo më pak se 20 vite burg.

"U pendova për çfarë kisha bërë. Pas ngjaries, une dola nga shtëpia, ku derën e jashtme e mbylla nga jashtë, vajta në këmbë në restorant afër Gjendjes Civile për të ngrënë mëngjes dhe më pas jam kthyer po në këmbë në shtëpinë time. Me të mbërritur në shtepi, u pendova për çfarë kisha bërë dhe kam njoftuar në telefon tim vella i cili jeton disa shtëpi më tutje në lagjen ku banoj, dhe kur ai erdhi në shtëpinë time, i thashë që Valdetja ka vrarë veten. Më pas, vellai im G.M ka njoftuar policinë. Deklaroi edhe një herë se për vrasjen e bashkëshortes time Valdete Mamaj unë ndihem i penduar dhe u kërkoj falje fëmijeve të mi", tha Petrit Mamaj para hetuesëve.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 8 shkurt të këtij viti. Valdete Mamaj filllimisht u raportua nga Policia se kishte vrarë veten. Më pas u zbulua se personi që kishte raportuar në policinë e Fierit ishte bashkëshorti i saj Petrit Mamaj. 56-vjeçari tregoi se e kishte gjetur gruan të pajetë në shtëpinë e tyre pasi ishte kthyer nga një shëtitje. Por, duke parë 6 plagët në trupin e së ndjerës, u hodh poshtë pista e vetëvrasjes. Gjithashtu “dëshmi” e krimit ishin edhe disa gërvishtje në trupin e 56-vjeçarit të shkaktuara nga viktima gjatë sulmit. I zënë ngushtë, Petrit Mamaj pranoi krimin duke pretenduar se e kishte masakruar të shoqen për xhelozi pasi dyshonte se e tradhëtonte.